Berisha: Më lini të gjuaj penalltitë

I lumtur që do të jetë pjesë e projektit të Atalantës. Etrit Berisha nuk e fsheh kënaqësinë, që klubi bergmask bleu përfundimisht nga Lazio kartonin e tij gjatë kësaj merkatoje, pasi dëshira e portierit të kombëtares shqiptare ka qenë një dhe e vetme të vazhdonte aventurën e tij me Atalantën. Në një intervistë për mediat që qëndrojnë pranë klubit zikaltër, Berisha shprehu ndjesitë e tij të para, sesi çfarë do të thotë për të të jetë në çdo efekt një futbollist i Atalantës.
“Është diçka ndryshe të dish që nuk je duke luajtur në formë huazimi. Ndihem më i qetë dhe e gjithë vëmendja ime është te përgatitjet e skuadrës. Sezonin e kaluar sa më shumë kalonte koha aq më tepër shpresoja që Atalanta të më blente kartonin nga Lazio. Doja me çdo mënyrë të isha pjesë e këtij projekti, pasi  bëmë një sezon fantastik duke e mbyllur kampionatin në vendin e 4-t dhe duam të vazhdojmë në këtë rrugë”, deklaroi fillimisht gardiani kuqezi. Më pas, Berisha foli edhe për faktin se çfarë ndieu në momentin që mësoi se ishte zyrtarisht një futbollis i Atalantës.
“Në fund të sezonit të kaluar, bisedova me drejtuesit dhe e prisja diçka të tillë. Ndodhesha në shtëpinë time në Prishtinë, kur mësova për zyrtarizimin e marrëveshjes. Jam i lumtur, sepse dëshira ka qenë të vazhdoj të jem pjesë e kësaj skuadre. Te Atalanta kam raporte shumë të mira me trajnerin, drejtuesit e klubit dhe tifozët, theksoi në fund Etrit Berisha”, u shpreh Berisha.

Exit mobile version