Sido që të përfundojë ky sezon, Antonio Konte e shkroi me germa të arta emrin e tij në historinë e Çelsit. 12 fitore radhazi në Premier Ligë blutë e Londrës nuk i kishin arritur asnjëherë më parë.
“Të fitosh 12 ndeshje radhazi në këtë kampionat nuk është e lehtë. Është një seri fantastike rezultatesh, por është e rëndësishme që ta vazhdojmë. Pas katër ditësh na pret një tjetër ndeshje e fortë dhe duhet ta përgatisim mirë, sepse tani të gjithë duan të na mundin”, tha trajneri Antonio Konte pas suksesit 3-0 ndaj Bërnmuthit.
Lidhur me atë që ndodhi në fushë në këtë javë të 18-të, italiani shtoi: “Luajtëm një ndeshje të mirë. Mund të kishim shënuar më shumë, por unë jam i kënaqur nga sjellja e lojtarëve. Luajtëm pa dy futbollistë të rëndësishëm (Diego Kosta dhe N’Golo Kante ishin të pezulluar), por unë mendoj se luajtëm mirë”.
Konte, ashtu siç kishte paralajmëruar, nuk vendosi ta zëvendësonte bomberin e tij kryesor me Batshuajin, por luajti me sulmues të fshehtë. “Kjo është hera e parë që luajtëm pa një sulmues të deklaruar përpara. E kishim provuar këtë në stërvitje dhe mendoj se ishte momenti ideal për ta aplikuar. Por unë nuk e harroj Miçi Batshuajin, sepse ai është një lojtar i ri, me talent të madh. Ai po përshtatet në këtë kampionat. Kështu është futbolli. Në të ardhmen do t’i besoj padyshim”, përfundoi tekniku i bluve.
Ndonëse ka më pak se katër vite në këtë klub, Hazard rezulton të ketë gjetur rrugën e rrjetës me një vazhdimësi të admirueshme për standardet e këtij klubi. Me golin e shënuar dje ndaj Bërnmuth, ai çoi në 50 numrin e golave të realizuar me fanellën e bluve.
Ai është bërë kësisoj lojtari i 6-të që e arrin këtë shifër në kampionatin anglez me Çelsin. Para tij, shifrën 50 e kanë arritur vetëm pak legjenda të londinezëve: Frenk Lampard, Didier Drogba, Xhimi-Flloid Haselbenk, Xhanfranko Zola dhe Eidur Gudjonsen.
Ndërkohë, Jurgen Klopp është i lumtur me atmosferën që e rrethon te Liverpooli. Trajneri i “The Reds” në një intervistë shprehet i kënaqur për situatën që po kalon skuadra e tij. Rezultatet pozitive nuk mungojnë, pasi gjërat po ecin ashtu siç gjermani i ka planifikuar. Klopp shprehet se, atmosfera tek Liverpooli është gati e njëjtë me atë që ai ka pasur tek ish-skuadra e tij Borussia Dortmund, ku theu hegjemonine e Bayern Mynihut, duke fituar 2 vite radhazi Bundesligen.
“I gjithë stafi po kalon një moment shumë pozitiv. Festat e fundvitit i kanë dhënë edhe më shumë gëzim ambjentit tonë. Është pak a shumë e njëjta atmosferë që unë kalova tek Borussia Dortmund. Më gëzon ky fakt, sepse puna e të gjithëve po shpërblehet. Shpresoj që të vazhdojmë kështu deri në fund të kampionatit”, tha Klop.
Muaj janar përkon dhe me hapjen e merkatos dimërore, por tekniku i “The Reds” nuk preferoi të fliste shumë për këtë pjesë. Ai u shpreh i kënaqur me futbollistët që ka në dispozicion, por e la të hapur edhe mundësinë që ndoshta në janar mund te afrohet ndonjë lojtar i ri. Më pak se 4 vite te Çelsi, por Hazard është mes golashënuesve më të mirë. Futbollisti belg i Çelsit, Eden Hazard, ka hyrë në historinë e londinezëve, duke u renditur mes golashënuesve më të mirë të të gjithë kohëve në këtë skuadër.