Me 4 gola të realizuar deri në këtë fazë të sezonit, 3 në Serinë A dhe 1 në Europa League, Antonio Candreva nuk ka arritur të shpërthejë ende me fanellën e Interit edhe pse mesfushori me tipare sulmuese është një nga lojtarët me më shumë minuta në këmbë te skuadra zikaltër gjatë këtij sezoni. Në një intervistë 29-vjeçari italian i bëri një bilanc muajve të tij të parë te Interi si dhe ecurisë së skuadrës që nuk ka qenë aspak pozitive në fillimin e sezonit edhe pse në ndeshjet e fundit, Interi me Stefano Piolin në drejtim ka ardhur në rritje. “Bilanci im personal dhe ai i skuadrës deri në këtë pjesë të sezonit nuk është ai që prisnim, megjithatë tashmë kemi nisur një rrugë të re dhe shpresojmë të jemi të suksesshëm, theksoi fillimisht Candreva. Me Frank De Boer në stol, Interi nuk funksiononte edhe pse ish-lojtari i Lazios e pranon se një pjesë të madhe të fajit për ecurinë e dobët e kishin vetë futbollistët.
29-vjeçari shpjegoi edhe njëherë tjetër arsyet se përse zgjodhi skuadrën zikaltër për të vazhduar karrierën. “U transferova te Interi, sepse është një klub fitues, një klub ambicioz që më dëshironte me çdo kusht. Nuk mendova dy herë për të bërë zgjedhjen time, nënvizoi Candreva. Ai shtoi gjithashtu se, objektivi kryesor i zikaltërve në këtë sezon është kualifikimi në UEFA Champions League. Fitorja më e rëndësishme e Interit në këtë kampionat ka qenë pikërisht ajo ndaj Juventusit, ndërkohë që supergoli i Candrevës në derbin ndaj Milanit nuk ishte i mjaftueshëm për të fituar atë sfidë dhe vetë lojtari e pranon se Interi luajti më mirë se Milani dhe meritonte të triumfonte në derbin e Madoninës.