Basaksehir kryeson kampionatin turk pas pjesës së parë të sezonit dhe Sokol Cikalleshi është sulmuesi kuqezi që shpreson që të fitojë titullin kampion në këtë vend. Aktivizimet vitin e fundit nuk kanë qenë të shpeshta, aq sa është përfolur jo pak dhe për një largim të mundshëm, por vetë Cikalleshi nga Belek në një intervistë thekson se e ardhmja e tij do të vazhdojë të jetë te klubi i Stambollit në kërkim të një roli si protagonist absolut.
Në ndeshjen e fundit me Izraelin mungoi dhe për shkak të aktivizimit të paktë në klub, por Cikalleshi nuk dorëzohet dhe beson se kthimi në formën e duhur në klub do t’i japë dhe mundësitë në kombëtare.
Largimi i Tramezzanit ishte një befasi për të gjithë përfshirë dhe Cikalleshin që vlerëson punën e italianit te kuqezinjtë.
Si një prodhim i Superiores, Cikalleshi e ka të pamundur të mos e përcjellë kampionatin shqiptar, madje vlerëson rritjen e klubeve ashtu si dhe garën për titull, ku beson se Kukësi, Skënderbeu dhe Partizani do të kenë një garë të ethshme deri në fund.