Tre skuadra të Serisë B interesohen për Manajn

Sulmuesi i kombëtares shqiptare dhe Interit, Rei Manaj, gjatë merkatos së këtij muaji do të transferohet në një ekip të ri. Pasi përfundoi para planifikimit huazimi që bëri në verë te Peskara, ai tashmë do të rikthehet te zikaltërit në pritje të ekipit të ri, ku klubi i Milanos do ta huazojë për pjesën e mbetur të sezonit.
Sipas raportimit të mediave italiane pranë Interit, janë tri skuadra të Serisë B që kanë shfaqur interes për shërbimet e sulmuesit 19-vjeçar kuqezi. Peruxhia, Bari dhe Benevento duan ta kenë pjesë të tyre futbollistin shqiptar dhe mbetet për t’u parë nëse deri në fund të janarit do të arrijnë të gjejnë marrëveshjen me vetë Manajn dhe klubin zikaltër. Ndërkohë nga jashtë Italisë vazhdon të jetë i vlefshëm interesimi i spanjollëve të Las Palmasit.
Ndërkohë Keidi Bare ka debutuar me Atletiko Madridin në ndeshjen kundër Las Palmas për Kupën e Mbretit. Ky debutim nuk kaloi pa u vënë re dhe komentuar nga mediat spanjolle, të cilat bënë vlerësimin e tyre për talentin kuqezi. “Keidi Bare debutoi në minutën e 78 në vend të Korreas. Minuta për një tjetër djalosh të akademisë”, shkroi prestigjiozja “AS” në vlerësimin një për një të gjithë lojtarëve bardhekuq që zbritën dje në fushë.
“Për t’u përmendur debutimi i shqiptarit Keidi Bare, një mesfushor i dizenjuar posaçërisht për Simeonen sepse shkatërron dhe ndërton”, thuhet në analizën e “Mundo Deportivo” për ndeshjen e mbrëmshme mes Atletikos dhe Las Palmasit.

Exit mobile version