Cikalleshi kthehet te goli pas 3 muajsh

Goli i parë i Sokol Cikalleshit në këtë sezon të kampionatit turk, por edhe i pari me fanellën e skuadrës së tij të re nuk i mjaftoi Akhisar Belediye-s për të marrë qoftë edhe një pikë. Sulmuesi shqiptar u rikthye te goli pas rreth 3 muajsh duke i realizuar një finalizim me peshë në sfidën mes Akhisar-it dhe Trabzonspor-it, por në fund pavarësisht finalizimit të Cikalleshit që i dha avantazhin provizor vendasve ishin miqtë nga Trabzoni ata që triumfuan duke përmbysur gjithçka në favor të tyre për një fitore me shifrat 1-3.
Në ndeshjen e tij të 3-të si titullar me Akhisar-in, Cikalleshi arriti të gjente rrugën e rrjetës duke konfirmuar se ka bërë zgjedhjen e duhur për t’u transferuar në formë huazimi te ekipi i trajnerit Tolunay Kafkas deri në përfundim të këtij sezoni. Ishte minuta e 11-të kur 26-vjeçari kavajas shfrytëzoi një krosim Adin, duke goditur saktë me kokë për të realizuar një gol të bukur. Në pjesën e parë Akhisar arriti të ruante epërsinë, por në fraksionin e dytë miqtë nga Trabzoni e rritën ndjeshëm nivelin e lojës së tyre duke realizuar 3 gola, 2 me sulmuesin nga Mali, Ndoye dhe një me qendërmbrojtësin Demirok. 1-3 në favor të Trabzonsporit ishte rezultati i kësaj ndeshjeje, megjithatë për ne e rëndësishme është që kur mbeten më pak se 2 javë nga sfida Itali-Shqipëri, një tjetër sulmues i kombëtares pas Sadikut dhe Manajt arrin të gjejë rrugën e rrjetës në këtë javë.

Exit mobile version