Si do të jetë Republika e re?

Besnik ALIAJ

Po bëhet gati 1 muaj që opozita dhe populli janë në protestë. Përpara qeverisë dhe Parlamentit është ngritur një çadër-forum, e cila ka ngjallur debat, kundërshti, shpresë dhe frikë njëkohësisht. Një gjë është e qartë: figura e Lulzim Bashës dhe e forcës që ai drejton ka marrë një tjetër profil! Sado të kritikojnë dhe ironizojnë kundërshtarët, ata qartësisht janë në hall si të veprojnë. Qeveria dhe koalicioni në pushtet bënë weekend-in e fundit një rrokadë të sforcuar në përpjekje të dështuar për të marrë iniciativën dhe ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve! Ndërkohë fushata e shiritave, panaireve dhe show-t mediatik është në ekstazë! Por për çudi çadra-forum vijon e qetë punën e saj dhe vijon të tërheqë gjithnjë e më shumë kureshtarë, militantë, qytetarë, etj., etj. Janë njerëz të thjeshtë, mësues, sipërmarrës, të papunë, akademikë, të majtë e të djathtë ose pa parti. Të gjithë vijnë atje dhe flasin duke nxjerrë në pah frustrimin e madh që po kalon vendi dhe shoqëria shqiptare! Kërkohet një ndryshim i madh! Por jo një ndryshim i radhës, por një përmbysje? Kërkohet një lidership i ri! Por jo dosido! Një lidership idealist, patriot dhe me besë! Një lidership modern, europian, kampion i demokracisë dhe lirive të njeriut! Kërkohet një sistem dhe një Republikë e re!
Ndaj është koha që Lulzim Basha tani të flasë se si do të jetë Republika e re? Njerëzit e besojnë, por tani duan të dëgjojnë gjëra edhe më konkrete! Ata as që duan t’ia dinë cili ministër u shkarkua dhe kush u ngarkua! As nuk jua ndjen fare për zhurmën e mediave të kontrolluara. As për inaugurimet elektorale e as për kulisat e politikuajve të rinj të plakur! Njerëzit janë të etur të dëgjojnë për Republikën e re! Për sistemin e ri antiestablishment. Për masat radikale antistatus quo! Ata duan të dëgjojnë Lulzim Bashën se çfarë vjen pas kërkesës për zgjedhje të lira dhe qeveri teknike? Ata duan që Lulzim Basha të flasë në çadrën-forum për Republikën e re, së bashku me kampionët e rinj të Republikës së re!
Pra, është koha që Lulzim Basha të shpjegojë:
⁃ A do të ketë një pakt kombëtar për një sërë çështjesh jetike për vendin apo do të vijojmë me konflikt? A do të kemi një Kushtetutë të re? Çfarë sistemi elektoral do të aplikohet në Shqipëri tani e tutje? Çfarë do të ndodhë me kolonat kryesore të shtetit dhe lirisë? Çfarë do të ndodhë me politikën, drejtësinë, mediat, shoqërinë civile, etj., etj.
⁃ A do të përfaqësojë qeverisja e Shqipërisë komunitetin dhe a do t’i shërbejë atij realisht? Apo do të vijojë t’i shërbejë kastave dhe oligarkisë? Si do të garantohemi për këtë? Si do të ruhet dhe kultivohet demokracia, nga rreziku i deformimeve autoritare të pushtetit? A do të jetë qeverisja pozitive? Si do të nxisë ajo zhvillimin real të vendit?
⁃ A do të jetë qeverisja e taksapaguesve apo e mafias? A do të garantohet sipërmarrja, prona, siguria dhe liria e individit? Si do të veprohet me administratën publike? A do të shpolitizohet dhe stabilizohet ajo?
⁃ A do të decentralizohet pushteti drejt njësive rajonale dhe lokale? Ç’do të bëhet me reformën aktuale të territorit? A do të kemi akoma një hartë elektorale apo një hartë të re që nxit zhvillimin? Si? A do të ketë operacione të vërteta zhvillimi apo qepje për interesa politike të çastit?
⁃ Çfarë do të ndodhë me burimet kombëtare, natyrore dhe ekonomike? Çfarë do të ndodhë me koncesionet, sidomos ato korruptive? Si do të jenë taksat? Të shumëfishta? Të balancuara? Të thjeshta apo progresive? Ku do të shkojnë dhe si do të shpenzohen taksat? A do të financohen vetëm bashkitë që kanë të njëjtën ngjyrë politike me qeverinë? Po komunitetet e abandonuara dhe në nevojë?
⁃ A do të dëgjohen profesionistët, akademikët, shkencëtarët dhe sipërmarrësit e suksesshëm? Si, ku dhe kur? Kush do ta garantojë këtë? A do të ketë një kontratë politike me gjithë shtresat dhe grupimet sociale? Si do të garantohet përfaqësimi dhe legjimiteti i tyre në politikë, punësim dhe ekonomi!
⁃ Cili do të jetë modeli ekonomik i Shqipërisë? Si do të garantohet qëndrueshmëria? Si do të ripërtërihen burimet, mjedisi, bujqësia dhe turizmi?
⁃ Çfarë do të ndodhë me arsimin, shkencën, sportin, trashëgiminë dhe kulturën? A do të investohet seriozisht për këto sektorë si investim afatgjatë për zhvillimin e vendit?
⁃ Çfarë do të ndodhë me politikat monetare? Cilat do të jenë stimujt fiskalë? Çfarë roli do të ketë sistemi bankar? Po kreditimi? Çfarë do të ndodhë me biznesin e vogël, të mesëm dhe familjar në Shqipëri? A do të ketë klimë dhe inçentiva inkurajuese? Si do të shmanget informaliteti?
⁃ Si do të rikthehet kontrolli mbi territorin dhe burimet? Si do të rikthehet besimi tek populli? Si do të frenohet emigrimi dhe braktisja? Si do të luftohet krimi i organizuar dhe mafia? A do të jemi republikë bananesh dhe hashashi apo një vend normal europian? Cilët janë partnerët tanë strategjikë? Në Lindje apo Perëndim?
⁃ A do të ketë një bazë taksapaguese të gjerë dhe taksa të ulëta apo të larta? Si do të bëhet rishpërndarja e pasurisë kombëtare? A do të rritet apo ulet autonomia vendore? Do të merren vendimet në Tiranë apo në periferi? A do të pyeten elitat apo njerëzit? Po emigrantët do të kenë rol në Shqipëri? Si?
⁃ Çfarë do të ndodhë me kthimin e pronave? Po me legalizimin? A do të marrin ato një përgjigje finale apo do të zvarriten pa fund? Çfarë do të bëhet me burimet në tërësi dhe sidomos me burimet energjetike kombëtare? A do të zgjerohen zonat e mbrojtura mjedisore? A do të investohet në autostrada, projekte europiane dhe rajonale? Si do të ruajmë identitetin tonë kombëtar nesër në BE? A do të ndëshkojmë krimin dhe korrupsionin apo do të zvarritemi?
⁃ Etj., etj., etj …
Po, është koha që Lulzim Basha të flasë bashkë me ekipin dhe aleatët e tij: njerëzit e thjeshtë dhe të lirë! Lulzim vijo të kërkosh zgjedhje të lira dhe të ndershme! Vijo të kërkosh qeveri dhe Shqipëri teknike! Mos hiq dorë asnjëherë dhe për asnjë gjë nga këto kërkesa! Sepse nuk ka më kthim prapa! Është “one way ticket” rruga drejt demokracisë dhe lirisë! Por ndërkohë fillo të shpjegosh çfarë është Republika e re, sepse vetëm ky është shtegu që të nxjerr ty dhe shqiptarët në dritë dhe të ndan përfundimisht nga Republika e vjetër, nga Parlamenti i vjetër, nga qeveria e korruptuar, nga drejtësia dhe mediat e kapura, nga praktikat e vjetra të Republikës së vjetër, nga gjithçka që na ka mbajtur peng këto vite! Ndaj tani në çadër duhet të flitet për Kushtetutën e re të Republikës së re!

Exit mobile version