Cili është problemi më i madh i shqiptarëve?!

Nga Lutfi Dervishi

Në Shqipërinë tonë të vogël, më e madhe se dashuria për atdheun, është talenti që kemi për të bërë paqe me çdo problem.

Jemi populli që jo vetëm dimë të mbijetojmë, por dimë edhe të mos bezdisim veten duke kërkuar zgjidhje. Refreni ynë? “Selanik e tatëpjetë, siç ka qenë do të jetë”.

Trafiku

Çdo mëngjes, në kryeqytet, në hyrje dhe dalje të tij, zhvillohet një shfaqje artistike: makina që ndalojnë, lëvizin 5 cm, ndonjëherë 10 cm dhe prap ndalojnë. Zgjidhje për trafikun? As që bëhet llaf. E kemi pranuar me filozofi stoike: “Do kemi trafik, dhe një ditë do të ketë aq makina në rrugë sa as makina s’do mund të leviz më!” Një vizion gjenial për të krijuar muzeun e parë të trafikut të përhershëm.

Ikja
Kemi nisur të flasim për largimin masiv të nga vendi. “Kanë ikur, po ikin dhe do të ikin,” thonë politikanet, me një buzëqeshje që sfidon edhe nënqeshjen e Mona Lizës. Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Është vetëm historia që përsëritet. Dikur emigronim për bukën e gojes, tani për të shkuar në një vend ku sundon ligji.

Korrupsioni
Korrupsioni është si rakia: e prodhojmë me bollëk dhe e ndajmë me të gjithë. “Gjithmonë ka pasur korrupsion,” thonë ekspertët, ministrat dhe analistët. Ashtu si oksigjeni, është i domosdoshëm për jetën, edhe korrupsioni është vaji që lubrifikon sistemin. Lufta kundër tij do ishte si të tentosh të ndalosh frymëmarrjen.

Punët Publike
Punët publike këtu janë si serialet turke: askush nuk e di kur do të mbarojnë. Por nuk ka vend për t’u shqetësuar! Refreni që dëgjojmë jo vetëm që na qetëson, por na vë edhe në gjumë: “Ska kohë për pushim.” Sigurisht, kjo nuk do të thotë që rruga do të perfundojë, është sinjal që do të zvarritet në mandatet e ardhshme. Të mos harrojmë, zvarritja është pjesë e trashëgimisë tonë kulturore.

Pensionistët
Me çmimet që fluturojnë në qiellin plot ré dhe pensionet që zvarriten, pensionistët po praktikojnë një jetë me më pak kalori. Ndërkohë, qeveria që e kap lepurin me qerre e gjen tak – fak fajtorin: bizneset që nuk duan të paguajnë më shumë taksa., Afermendsh, problemi s’mund të jetë sistemi. Faji është gjithmonë i tjetrit.

Konkluzioni
Në vend që të luftojmë për zgjidhje, kemi gjetur një mënyrë më të lehtë: paqe me problemin. Vendi është kthyer në një tokë pjellore që kultivon artin e pranimit fatalist. Dhe siç themi sa herë ndihemi keq: “E bën Zoti mirë…”
Dhe meqë punët e mëdha ja kemi lënë Zotit, derisa Ai të kujtohet për ne, ne, ngushëllohemi me trafikun, korrupsionin dhe ikjen. Pasi, ashtu si e ka thënë filozofi modern shqiptar: “problemi ynë më i madh është se ne nuk kemi problem asnje problem.”

Exit mobile version