Cili është vizioni i PD për Tiranën? Bejko: Kemi 15 propozime për kryeqytetin!

Kandidati i Partisë Demokratike të grupimit të Enkelejd Alibeajt në zgjedhjet lokale të 14 majit, Roland Bejko, i ftuar në “Debat” me Alba Alishani në A2CNN ka folur në lidhje me programin e tij për këto zgjedhje.

Ai është fokusuar më së shumti te vizioni, siç e quajti ai, për Tiranën, ndërsa shtoi se pikat e programit të tij, ai do t’i shpalosë në ditët në vijim. Sipas Bejkos, këto zgjedhje janë mbi të gjitha politike për vetë situatën ku ndodhet sot jo vetëm politika shqiptare, por edhe vetë Partia Demokratike.

Z. Bejko, një ditë më parë ju bëtë njoftimin ku thatë se e keni gati programin për Tiranën, por që ende nuk është bërë publik. Cilat janë disa nga pikat kyçe të këtij programi?

Me shtyllat konkrete të programit, do njiheni në ditët në vijim. Në ditët në vijim do të zhvillojmë takime publike, ku qytetarët do të njihen me të gjitha propozimet tona për Tiranën. Janë 15 propozime që ne kemi për Tiranën, por përtej këtyre propozimeve, ne i konsiderojmë këto zgjedhje, jo vetëm vendore, por edhe politike. Për vetë situatën në të cilën gjendet politika shqiptare dhe veçanërisht Partia Demokratike prej më shumë se dy vitesh. Situata e PD sot nuk është situata që do donim ta kishim atë. PD sot është e ndarë në disa pjesë. Kemi një Parti Demokratike zyrtare dhe një grupim që e ka marrë me vete z. Berisha dhe ka hartuar një listë me emrat së bashku me Ilir Metën, një koalicion dhe i thotë demokratëve që ejani e votoni atë listë.

Exit mobile version