Cirku Bayern, Ribery dhunon gazetarin!

Situatë kaotike te Bayern Munchen, që po përjeton një sezon skandaloz, jo thjesht për rezultatet dhe lojën aspak të mirë, por edhe për problemet jashtë fushe, ku duket qartë se skuadra ka dalë jashtë kontrolli.
Dëshmitarë të ndryshëm kanë raportuar një grindje të egër mes mesfushorit Franck Ribery dhe një gazetari francez pas ndeshjes luajtur të shtunën në Dortmund.
Bold raporton se Ribery u takua me Patrick Guillou, i cili punon si analist për beIN Sports, duke dalë nga dhomat e zhveshjes, në rrugën drejt autobusit në Signal Iduna Park.
Guillou, një ish-futbollist dhe në një periudhë të shkurtër edhe ndihmëstrajner i Willy Sagnol, kërkoi një deklaratë nga Ribery në lidhje me ndeshjen. Ribery nisi të ofendonte gazetarin dhe më pas e goditi me shpulla tre herë, para se ta shtynte dhunshëm, në një kohë që Guillou ishte me duar në xhepa dhe u kap në befasi nga sulmi.
Guillou në komentin direkt në beIn fajësoi pjesërisht Ribery-në për dy nga golat e Dortmundit, ndaj me sa duket Ribery e kishte marrë vesh. Rafinha dhe ish-ylli i futbollit francez Jean-Pierre Papin vrapuan për të ndalur sherrin, ndërsa Ribery hipi në autobus.
Më pas, mesfushori francez informoi klubin për incidentin, ndërsa drejtori sportiv i Bayern-it, Hasan Salihamidzic, ishte i vetmi që lëshoi një koment për Bild: “Franck Ribery na informoi për një grindje me bashkëkombasin e vet Patrick Guillou, me të cilin njihet prej shumë vitesh. Ramë dakord me Patrick Guillou që të takohemi së shpejti për ta zgjidhur në mënyrë private këtë çështje. Edhe zoti Guillou na ka bërë të ditur se është në interesin e tij që çështja të mbyllet me një takim privat”.
Natyrisht, takimi privat mund të përfshijë ndonjë çek nga Bayern-i, për t’i kërkuar falje dhe për të evituar polemikat mediatike.

Exit mobile version