Kamer Qaka dhe Shqipëria, një “martesë” e dështuar që në start, të paktën për sa kohë në drejtim është Christian Panucci.
Mesfushori i Poli Iasi-t në Rumani u grumbullua vjet nga Shqipëria dhe ka qenë pjesë e jona vetëm nëpër miqësore, por aty e ka zhgënjyer keqas trajnerin e kombëtares sonë, i cili në konferencën e sotme për shtyp shpjegoi pse Qaka nuk është grumbulluar, edhe pse pas aventurës së shkurtër e të shëmtuar te Steaua në verë, është kthyer dhe po shkëlqen në Iasi.
“Qaka duhet të rritet pak, për të luajtur në arenën ndërkombëtare, sepse aty duhet më shumë karakter. E kam hedhur në fushë tre herë, dy herë më ka kërkuar ndërrim pas 10 minutash. Uroj ta bëjë hapin e madh, sepse përndryshe nuk më shërben. Duhet të rritet shumë si personalitet”, tha Panucci, duke lëshuar një deklaratë të bujshme, për një futbollist që deri në vitin 2014 luante për moshat e Norvegjisë dhe tashmë është i djegur, sepse nuk lejohet të shkojë askund (Norvegjia apo Kosova), duke qenë se ka bërë një herë kërkesë për ndërrim kombësie.