City, i vështirë!

Manchester City-Real Madrid dhe Atletico Madrid-Bayern Munchen janë sfidat e fazës gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, prej nga do të dalin edhe dy finalistët e këtij sezoni, të cilët do të luftojnë për trofeun me “veshë të gjatë”. Shorti që u hodh paraditen e së premtes në Nyon të Zvicrës, lë të hapur mundësinë e një finaleje të njëjtë sikurse në vitin 2014, kur për herë të parë u përballën dy skuadra nga i njëjti qytet, Real-Atletico.
Megjithatë, Ronaldo do të rikthehet në Manchester dhe si një yll i United dhe do të bëjë të pamundurën për të eliminuar ish-kushërinjtë e urryer të Cityt. Ndërkohë, Guardiola mund të përballet me ekipin e ardhshëm të tij, Cityn, në rast se skuadra e tij aktuale dhe ajo angleze mund të kalojnë edhe këtë fazë. Ndeshjet e para gjysmëfinale do të luhen më 26 dhe 27 prill, ndërsa ato të kthimit më 3 dhe 4 maj.
Drejtori Sportiv i Real Madridit, Emilio Butragueno, parasheh një ndeshje shumë të vështirë kundër Manchester Cityt në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Ai tha se, ata do të jenë të motivuar për këtë takim dhe dëshira e tyre është që të shkojnë në Milan. “Ndeshja do të jetë e barabartë. Po flasim për lojtarë të mëdhenj. City është skuadër e madhe dhe motivimi do të jetë i madh. Ne do të luajmë dy ndeshje të nivelit të lartë, por dëshira jonë është të shkojmë në Milano”, tha Butragueno pas shortit.
Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane ka folur për ndeshjen kundër Manchester Cityt në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Ai tha se do të jenë dy ndeshje të vështira dhe do të jetë një sfidë totale. “Është një gjysmëfinale shumë e vështirë. E vetmja gjë pozitive është që luajmë ndeshjen kthyese në shtëpi. Shoh dy ndeshje të komplikuara dhe do të jetë një luftë totale”, tha Zidane gjatë konferencës për media.
Menaxheri Gjeneral i Manchester Cityt, Txiki Begiristain e ka pranuar se Real Madrid është favorite, por insiston se ata mund të shkojnë në finale. Ai tha se, City ka sulm të mirë dhe mund të mposhtë Realin. “Mendoj se Real Madrid është favorite, pasi ka luajtur në 26 gjysmëfinale, gjashtë rresht në vitet e fundit. Por, ne kemi sulm shumë të mirë dhe mund t’i eliminojmë ata”, tha Begiristain.
Trajneri i Manchester Cityt, Manuel Pelegrini, mendon se shorti i ka vu përballë një skuadre tejet të vështirë. Ai ka shtuar se në këtë fazë të Championsit nuk ka asnjë skuadër të lehtë dhe se janë duke shikuar që të bëjnë paraqitje të mira ndaj Realit. “Përballja me Realin nuk është një motivim shtesë. Motivi jonë është se do të luajmë dy ndeshje gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve”, ka thënë Pelegrini. “Është një short shumë i vështirë. Nuk ka rëndësi kundër cilit ekip luajmë, të gjithë në këtë fazë janë të vështirë. Ne tentojmë që të bëjmë paraqitje të ngjashme si deri më dhe presim ndeshje të mira kundër një ekipi të madh”, ka shtuar ish-trajneri i Real Madridit.

Exit mobile version