Jaja Ture kërkohet nga Juventusi

Jaja Ture flirton me Juventusin. Mesfushori i Mançester Sitit i është vetofruar skuadrës bardhezi dhe shpreson që sezonin e ardhshëm të luajë në Torino. Sipas mediave italiane, 33-vjeçari do të divorcohet në fund të sezonit me Sitin dhe kërkon të ndryshojë skuadër.
Interesant është fakti se, deri në këto momente ai ka qenë një nga dëshirat e mëdha të Interit dhe Roberto Mançinit, por duket se Ture ka “tradhtuar” dashurinë e vjetër për të veshur fanellën e kampionëve të Italisë. Interi e ka shumë të vështirë t’i plotësojë kërkesat ekonomike futbollistit nga Bregu i Fildishtë dhe për këtë fakt ky i fundit ka vendosur t’i shkelë syrin “Zonjës”. Pavarësisht se Ture kërkon të transferohet në Torino, Masimiliano Alegri dhe drejtuesit e Juventusit nuk emocionohen nga ky fakt dhe kanë vendosur ta lënë në pritje lojtarin e Sitit. Ai nuk mund të jetë kurrsesi alternativa e parë në rolin e mesfushës, duke parë që bardhezinjtë po kërkojnë të bëjnë revolucion, duke afruar futbollistë të rinj. Për më tepër, Ture kërkon 7 milionë euro në sezon dhe Juventusi nuk shquhet për të bërë çmenduri të tilla lidhur me pagat e lojtarëve. Gjithçka do të varet nga Pogba, por edhe nga Andre Gomes, i cili është objektivi kryesor i Juventusit në merkaton e verës.

Exit mobile version