90 milionë euro plus kartonin e Alvaro Moratas për Paulo Dybalan. Kjo është oferta e çmendur e Realit të Madridit, që ka vënë në pozitë të vështirë drejtuesit e Juventusit. Nëse merret në konsideratë edhe fakti se kartoni i sulmuesit spanjoll, i cili u rikthye në verë në “Santiago Bernabeu” pikërisht nga Juventusi, vlerësohet rreth 50 milionë euro, atëherë kemi të bëjmë me një transferimin që nëse realizohet do të thyejë rekordin e Paul Pobasë, për të cilin Manchester United shpenzoi 105 milionë euro plus 5 të tjera bonuse gjatë merkatos së verës.
Edhe pse bëhet fjalë vetëm për zëra merkatoje, në Angli më konkretisht “The Sun” shkruan se oferta është në tryezën e Juventusit. Si kundërpërgjigje drejtuesit juventinë mësohet se kanë kërkuar të përfshijnë në marrëveshje kartonin e Tony Kross ose të Luka Modriç, por qëndrimi i madrilenëve ka qenë kategorik. Muaji janar pritet të jetë shumë i nxehtë në aksin Torino – Madrid dhe kur bëhet fjalë për interesimin e gjigantëve spanjollë, e pamundura nuk ekziston.
Për rikthimin e mundshëm të Alvaro Moratas te Juventusi në Serinë A, Zidan saktësoi:
“Nuk besoj se ky informacion është i saktë. Alvaro është i lumtur te Reali, sepse ndodhet në shtëpinë e tij. Është pjesë e projektit tonë”, u shpreh Zidane.
Zidane tha se, nuk dëshiron që Pepe e James të largohen nga Real Madridi. E ardhmja e Pepes dhe e James Rodriguezit ishte tema kryesore e konferencës për shtyp të Zinedine Zidane në prag të përballjes së parë me Sevillan në fazën e 1/8-ve të Kupës së Mbretit. Trajneri i “Los Blancos” këmbëngul se të dy futbollisët janë shumë të rëndësishëm për skuadrën që ai drejton.
“Rinovimi i kontratës së Pepes? Ai është lojtari ynë, luan prej 10 vjetësh në këtë klub dhe shpresoj që të vijojë me ne. Edhe James është shumë i rëndësishëm për ne, por unë nuk do të ndryshoj qëndrim karshi tij. Unë e kuptoj që kur nuk luan në një finale, duhet të jesh i mërzitur, kuptoj gjithashtu se ndonjëherë është e vështirë, por kjo ndodh me të gjithë, jo vetëm me James-in. Është në klubin më të mirë në botë dhe dëshiroj të qëndrojë këtu”, u shpreh Zidane.
2016-ta kulmoi për Zidanë me suksesin në finalen e Champions League, të fituar me 11-metërsha ndaj Atleticos së Madridit, por ambiciet për 2017-ën janë edhe më të mëdha. “Do të bëjmë maksimumin për t’i fituar të gjithë trofetë. Reali i Madridit pretendon tituj në çdo kompeticion ku merr pjesë. Jemi në rrugë të mbarë dhe shpresoj ta mbyllim sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme”, përfundoi Zidane.