Çmimi prestigjioz letrar “Booker” i jepet shkrimtarit irlandez Paul Lynch, 4 vjet për të shkruar romanin fitues

Çmimi prestigjioz “Booker’ në letërsinë anglishtfolëse iu dha autorit irlandez Paul Lynch për romanin e tij distopian “Prophet Song”, gjatë një ceremonie dje në Londër. Paul Lynch, i lindur në County Limerick në 1977, u nominua për çmimin për herë të parë me romanin e tij të pestë, një tregim i errët, klaustrofobik i një nëne, jeta e së cilës është kthyer përmbys në një Irlandë të zhytur në tirani fashiste.

Ai u bë autori i gjashtë irlandez që fitoi çmimin më të lartë për letërsinë artistike në gjuhën angleze që kur filloi në 1969, dhe i pari që nga Anna Burns për “Milkman” në 2018.

Pas marrjes së çmimit, Paul Lynch tha: “Nuk ishte e lehtë të shkruhej. Pjesa ime racionale mendonte se po e dënoja karrierën time duke shkruar këtë roman. Edhe pse librin më duhej ta shkruaja gjithsesi. Ne nuk kemi zgjidhje për çështje të tilla”.

Ai tha se do të shpenzonte një pjesë të çmimit të tij prej 50,000 paund (rreth 57,000 €) në hipotekën e tij.

Autori kaloi katër vjet duke punuar për librin që e shpalli fitues. Ai filloi ta shkruante pak para se djali i tij të lindte, dhe në kohën kur mbaroi, djali i tij mund të ngiste një biçikletë.

Veprat që konkurruan këtë vit shkaktuan “tmerr”, “kënaqësi”, “gëzim” dhe “ngushëllim” te anëtarët e jurisë, komentoi presidentja e saj, autorja kanadeze Essie Edujian.

Romanet konkurruese “ofrojnë të gjithë gamën e përvojës njerëzore” dhe e çojnë lexuesin jo vetëm “përtej realitetit, por edhe përtej gjuhës së jetës së përditshme”, shtoi ajo.

Çmimi “Booker” është një nga çmimet më të mira letrare në botën anglishtfolëse. Fituesi i çmimit merr 50,000 paund. 2500 paund i jepen gjithashtu secilit prej gjashtë autorëve të përzgjedhur në listën e ngushtë.

Një total prej 158 librash të shtypur në Mbretërinë e Bashkuar ose Irlandë midis 1 tetorit 2022 dhe 30 shtatorit 2023 u dorëzuan në organin e dhënies së çmimit Booker dhe 13 u zgjodhën në raundin e parë.

Vitin e kaluar, çmimi shkoi për autorin 47-vjeçar nga Sri Lanka, Shehan Karunatilaka për romanin e tij “The seven moons of maali almeida”, një satirë makabre kundër luftës civile që ka shpërthyer në vendin e tij për dekada. Ishte vetëm romani i tij i dytë.

Exit mobile version