Pas ecurisë fantastike të këtij sezoni, ku Chelsea është duke marshuar drejt fitimit të titullit kampion, trajneri Antonio Conte po mendon edhe për merkaton. Sezonin e ardhshëm, krahas kampionatit, blutë e Londrës do të rikthehen edhe në Ligën e Kampionëve dhe për këtë duhet të krijojnë një organikë më të pasur dhe konkuruese.
Antonio Candreva është një nga emrat që Conte e ka vënë në krye të listës së dëshirave, për merkaton verore. Mesfushori italian i Interit është një futbollist, të cilin Conte e njeh mirë dhe një interpretues mjaft i mirë e rolit të mesfushorit të krahut, në skemën 3-4-3, që trajneri italian aplikon të Chelsea.
Candreva u transferua këtë sezon nga Lacio te Inter dhe po zhvillon një sezon shumë të mirë, por duke konsideruar moshën e tij, zikaltërit do të pranonin largimin e tij drejt Chelsea kundrejt një oferte të mirë.
Eden Hazard i premton besnikëri Chelsea-t. Futbollisti belg në një intervistë për median britanike deklaron se nuk ka ndërmend të largohet nga “Stamford Bridge” pasi ndihet mirë në Londër duke frenuar kështu lëvizjet e Realit të Madridit që kërkon ta sjellë në Spanjë për të zëvendësuar Iscon ose James Rodriguez.
Hazard në fillim të sezonit kishte deklaruar se do të largohej nga Chelsea pasi të kishte fituar titullin e Premier League, gjë që ka shumë të ngjarë të ndodhë duke qenë se Chelsea është i shkëputur 10 pikë nga ndjekësit më të afërt. Por me ardhjen e Antonio Conte-s në pankinë, belgu fitoi një tjetër status në skuadër dhe ndihet shumë komod me rolin e ri që i ka dhënë italiani në fushën e lojës pas përshtatjes së skemës 3-4-3. Tashmë Hazard dhe Chelsea-t i duhet të përgatiten për ndeshjen çerekfinale të FA Cup ndaj Manchester United që do të luhet në mbrëmjen e së hënës në “Stamford Bridge”.