Ronaldinho beson se mesfushori i Liverpool, Philippe Coutinho, do të ishte një nënshkrim i përsosur për Barcelonën. Braziliani u lidh shumë me një lëvizje në “Camp Nou” gjatë verës, me gjigantët katalanas që bënë një total prej tri ofertash, me vlerën maksimale 130 milionë euro. Liverpool arriti t’iu rezistojë gjigantëve të La Liga-s dhe ta mbajë Coutinhon, i cili që atëherë ka shënuar katër gola dhe ka siguruar tre asiste në nëntë paraqitje, në të gjitha garat, për “Reds”. Ronaldinho, një ikonë braziliane dhe një legjendë e Barçës, e ka ndjekur nga afër karrierën e 25-vjeçarit dhe beson se ai do të jetë një përforcim i çmuar për skuadrën e Ernesto Valverde.
“Unë do të isha shumë i lumtur ta shihja një lojtar të tillë të talentuar të vishte fanellën që unë kam përfaqësuar për shumë vite, tha Ronaldinho për “Sky Sports” përpara miqësores së Brazilit me Anglinë, të martën. Besoj se mënyra se si ai luan do të përshtatet në mënyrë të përkryer me Barcelonën. Do të ishte vërtet i lumtur të shihja një lojtar me cilësi të tilla, që të veshë atë fanellë të rëndë. Më pëlqen mënyra se si luan Coutinho dhe llojin e futbollit që ai sjell. Me këto lloje cilësish le të shpresojmë që Brazili do të fitojë Kupën e ardhshme Botërore”.
Dani Alves: Jesus është si Ronaldo!!!
Dani Alves beson se sulmuesi i Manchester City, Gabriel Jesus është po aq i aftë sa ish-sulmuesi i Brazilit, Ronaldo. Mbrojtësi i djathtë mendon se 20-vjeçari ka të njëjtën vendosshmëri që ka parë te Ronaldo, një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Alves luajti për pesë vjet me Ronaldo, derisa ky i fundit e mbylli me përfaqësuesen në vitin 2011. Jezus, që do të jetë titullar kundër Anglisë, në miqësoren e së martës në “Wembley”, ka shënuar 7 gola në 12 ndeshje me “Selsesao”. Pavarësisht nga mosha e tij e re, Jesus është afirmuar edhe me fanellën e Manchester City ku me 9 gola në 16 ndeshje gjithsej në Premier League, Pep Guardiola po i jep më shumë minuta sesa Sergio Agueros.
“Për të gjitha atë që ka bërë deri tani dhe sa ka arritur, mund të them se nuk ka aspak presion. Ai po bën atë që pëlqen dhe mban fanellën e rëndësishme të qendërsulmuesit të Brazilit. Unë nuk bëj shaka kur e thërras “Ronaldo i ri”. Kanë pasur një ecuri të njëjtë. Që tani, Gabriel është një sulmues i madh dhe me kalimin e kohës vetëm do të përmirësohet. Askush nuk ka qenë kaq vendimtar që 20 vjeç, vetëm Ronaldo”, tha Dani Alves. Ronaldo ishte 21 vjeç kur luajti si titullar në “Francë 1998” dhe u shpall lojtari më i mirë i turneut, pavarësisht se Brazili u mposht në finale. Edhe Jesus do të jetë 21 vjeç, verën e ardhshme në Rusi, ku “Selsesao” do të marrë pjesë në botëror. Manchester City pagoi 35 milionë euro te Palmeiras për të marrë Gabriel Jesus, dy vjet më parë.