Crvena Zvezda befason botën e futbollit, mposht yjet e Liverpool

Një lojtar që ka kushtuar vetëm 350,000 € i ka dhënë fitoren 2-0 Crvena Zvezda-s ndaj yjeve multi-milionësh të Liverpool. Skuadra serbe ka befasuar duke mposhtur favoritët e grupit C të Champions League dhe Napoli me PSG mund të përfitojnë sot në mbrëmje për të marrë kryesimin në renditje.
Atmosfera në stadiumin Rajko Mitic të Beogradit ishte e zjarrtë dhe ashtu nisi edhe sfida mes dy skuadrave. Loja ishte e hapur që në minutën e parë dhe ishin serbët ata që shpërdoruan mundësinë e parë pas çerek ore lojë. Më pas erdhën dy rastet e mira të Daniel Sturridge, i cili fitoi balotazhin me Roberto Firmino-n për ndeshjen e sotme.
Në minutën e 22-të vjen befasia: pas një krosi të bukur nga këndi nga gjermani Marco Marin, Milan Pavkov kërcen mbi të gjithë brenda zonës duke dërguar topin në rrjetë me një goditje të fuqishme me kokë. Stadiumi shpërthen nga brohoritmat e tifozëve vendas. Një gol që i dha vetëbesim të madh Yllit të Kuq, që në minutën e 29’ dyfishon rezultatin falë golit të mrekullueshëm nga distanca të Pavkov.
Një goditje e pakapshme e qendërsulmuesit vendas që vetëm mund të admirohet nga neutralët. Liverpool mundohet të reagojë por Wijnaldum dhe Lallana nuk tregohen të saktë para portës. Pas pushimit Klopp nxjerr nga loja Sturridge dhe nis pjesën e dytë me Firmino-n. Miqtë kontrollojnë lojën por mbeten shumë larg portës kundërshtare dhe si pasojë e kanë shumë të vështirë të krijojnë mundësi të pastra goli. Të besuarit e Klopp mundohen, por tentativat e tyre janë të parashikueshme dhe përballohen me sukses nga Crvena. Vendasit arrijnë të ruajnë rezultatin duke marrë një fitore historike ndaj yjeve të Liverpool.
Ndërkohë Monaco është turpëruar brenda në shtëpi nga Club Brugge. Ekipi belg ka mposhtur 4-0 francezët në luftën për vendin e tretë që do t’i mundësonte kualifikimin në fazën e nokautit të Europa League. Ishin dy golat e Vanaken dhe rrjeta e Wesley që vulosën gjithçka që në pjesën e parë. Vormer në të 85-ën shtoi turpin e vendasve që drejtohen nga Thierry Henry.

Exit mobile version