Gazetari Bejdo Malo i ftuar në “360 Gradë” në Ora News, tha se ka pasur një informacion nga Shërbimi Informativ i Ushtrisë për kandidaturën e Sandër Lleshit në postin e ministrit të Brendshëm.
“Duhet të dimë që zt.Meta ka marrë në telefon zt. Sandër duke i thënë se duhet të vish në Presidencë. Ai i ka thënë që vij nëse më dekreton. Kjo do të thotë se ai e ka ditur arsyen. Kjo është absolute. Refuzimi është në mënyrë taksative. Presidenti nuk të dekreton se pse ke marrë dy rroga. Presidenti ka pasur një informacion që është e mundur të jetë nga SHIU. Është një dokument, që sipas aludimeve, ka ndodhur diçka në Gjermani, të cilën ndoshta rrethi i dytë i Metës do ta nxjerrin. Helidon Bendo nuk ka çuar raport. As Gentiana Sula”, tha Malo.
Zëdhënësi i Presidencës ka bërë publik përmes një reagimi të fortë arsyen madhore se përse Presidenti nuk ka dekretuar Sandër Lleshin, ministër të Brendshëm. Presidenca ka njoftuar se Presidenti është gati të sqarojë Parlamentin në një seancë me dyer të mbyllura, por edhe në një seancë publike se përse Lleshi përbën një problem për sigurinë kombëtare. Po çfarë nënkupton me këtë deklaratë Presidenca? Nëse bëhet fjalë për sigurinë kombëtare, atëhere pikëpyetjet lindin mbi të shkuarën e Lleshit. Cila është kjo e shkuar? Cilat janë marrëdhëniet e Lleshit me vende të tjera dhe cili ka qenë misioni i tij në detyrat e rëndësishme që ka patur më parë?