Nga Ilir Kalemaj
Jetojmë në një vend ku:
– të gjithë nxitojnë. Nga presioni me dritat në autostradë te xhirimi i gomave në rrugica lagjesh apo rendja për të dalë të parët nga avioni. Natyrisht koha është flori dhe duhet sa më parë…të shkosh në kafe;
– të gjithë bëjnë psikologun e tjetrit. Kërkohet por ende nuk po gjendet një shqiptar që të shohë punët e veta. Akoma më mirë do të ishte të jetonte jetën e vet;
– falë ngrohjes globale përvec klimës mesdhetare të shtrirë përgjatë gjithë vitit, po kemi dhe shoqërinë e mizave, mushkonjave dhe insekteve të tjera ndërkohë që tenderimi është harruar mes punëve të tjera të mëdha si pylli orbital apo të qënurit kryeqyteti i sportit. Duke qenë se ky i fundit ka marrrë përmasa olimpike edhe një stadium më të madh se të Juventusit e kemi hak;
– zhurrmat e forta janë bashkëshoqëruese interesante që s’të lënë të kaplohesh nga valët e monotonisë. Nga simfonitë e trapanos të pandërprerë dimër-verë te muzika n’kupë të qiellit që të shoqëron në cdo lokal disko, rini-ndjellëse;
– i riu si veriu dhe krejt të okupuar me ushqimin fast-food të showbizit, cka tregon dhe rezultatet spektakolare që po arrijmë ne teste ndërkombëtare si ato to Pisës ku rënia me 69 vende, na nxjerr kampionë të paditurisë dhe analfabetizmit aspak funksional;
– plehrat qëllon që harrohen dhe brenda ashensorit apo hidhen jashtë kazanëve se helbete homo albanicus është tepër i zënë në vorbullën e mendimeve për të vënë re detaje;
– intrigat zënë një vend të konsiderueshëm për të palodhurit nga puna dhe dita nuk shtyhet pa i vënë rrota tjetrit që mendon të bëjë ndonjë punë.
– servilizmi është jo vetëm mjet mbijetese por mekanizëm sulsesi dhe karriere të qëndrueshme në këtë yrt të shkretë të Ilirikut;
– kapitali social thuajse nuk ekziston në një vend me mosbesim të thellë ndaj institucioneve dhe njëri-tjetrit por për të rritir kapitalin financiar jemi gati për cdolloj stërkëmbëshi konkurrencës;
– meqë jemi ndër festat e fundvitit dhe festojmë më shumë ditë përgjatë vitit se shumica e kombeve në botë, pak më tepër sinqeritet me urimet do të ishte i mirëpritur;
– por kemi dhe arsye për të qenë krenarë se zëmë vendin e parë në botë për numrin e kafeneve, bar-restoranteve, pikave të karburantit, berberhaneve dhe parukerive, farmacive dhe noterive për frymë popullsie dhe metër katror në planet;
– ku ka trafik dhe radhë, dyndemi edhe më shumë si vandalët dhe visigothët mbi Romë;
– kur del moda e re, brenda pak kohësh të gjithë bëhemi njëlloj;
Por kemi dhe shpirt vet-kritike dhe mund ta shtoni dhe përmisoni listën e virtyteve sipas dëshirës.