Sekretarit për Çështjet Ligjore në PD, Indrit Sefa, ka analizuar vendimin e Gjykatës së Lartë mbi vulën e Partisë Demokratike.
Përmes një reagimi në rrjete sociale Sefa thekson se vendimi që e detyron ta zgjidhë në Apel çështjen, nuk cënon legjitimitetin e drejtimit të partisë nga Lulzim Basha.
Madje, ai nxori dhe një dokument të lëshuar nga Gjykata e Shkallës së Parë këtë të enjte, 28 dhjetor, ku njihet Lulzim Basha si kryetar i PD.
Sefa i bën thirrje Gjykatës së Lartë që të zbardhë sa më parë vendimin e plotë në mënyrë që Apeli të nisë sa më shpejt shqyrtimin e çështjes.
Përfaqësuesi i PD, nënvizoi se vendimi i Gjykatës së Lartë i dha të drejtë kërkesave të PD të cilat nuk u shqyrtuan në Apel.
Më poshtë reagimi i plotë:
Vendimi i djeshëm i Gjykatës së Lartë, që detyron Gjykatën e Apelit të zgjidhë në themel çështjen dhe t’i japë përgjigje kërkesave të Partisë Demokratike, është i njëjtë me qëndrimin e mbajtur nga ana jonë para Gjykatës së Apelit.
Gjatë gjykimit në Apel, Partia Demokratike kërkoi shqyrtimin në themel të çështjes dhe zgjidhjen përfundimtare të saj nga ajo Gjykatë, kërkesë që nuk u mor parasysh.
Prej më së dy vitesh, Partia Demokratike ka kërkuar të përballet me të gjitha provat në një debat në seancë gjyqësore, e drejtë e cila është mohuar me anë të veprimeve dhe vendimeve procedurale, që më në fund Gjykata e Larte i pranoi si të drejta.
Vendimi i Gjykatës së Lartë detyron Gjykatën e Apelit për zgjidhjen e shpejtë dhe përfundimtare të çështjes duke bërë të mundur vendosjen e drejtësisë së vonuar për çeshtjen gjyqësore të PD-së.
Ky ishte një hap shumë pozitiv për të gjithë shqiptarët dhe në veçanti demokratët që në një kohë të shkurtër do të shohin të përfundojë një teatër i stisur nga aleanca e kullave që kërkojnë ta mbajnë PD-në peng të interesave të tyre.
Vendimi i djeshëm i Gjykatës së Lartë nuk cënon në asnjë formë dhe mënyrë legjitimitetin e organet drejtuese dhe funksionimin e strukturave të Partisë Demokratike, e cila vijon procesin e riorganizimit të brendshëm, përgatitjen e platformës dhe programit politik të saj, identifikimin dhe propozimin e kandidatëve për deputetë dhe pregatitjen për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Partia Demokratike i kërkon Gjykatës së Lartë që në një kohë sa më të shkurtër të zbardhë vendimin e djeshëm dhe t’i japë mundësi Gjykatës së Apelit të shqyrtojë sa më shpejtë këtë çështje dhe t’i japë zgjidhje përfundimtare.