Ambasadori italian në Tiranë, Alberto Cutillo i ka bërë thirrje dje shqiptarëve të përdorin të lirë të drejtën e votës së tyre dhe të mos e shesin atë. Ambasadori italian ka bërë të ditur se përfaqësitë diplomatike ashtu si gjithë faktori ndërkombëtar do të ushtrojnë një monitorim të rreptë të procesit zgjedhor nga fushata elektorale. Marrëveshjen PD-PS që i dha fund krizës politike ai e quan provë maturie. Por shqiptarëve ambasadori italian Alberto Cutillo u kërkon të mos gabojnë duke shitur votën, pasi një proces i rregullt hap rrugën e procesit të integrimit. “Besoj se ishte shumë e rëndësishme që forcat politike gjetën një dakordësi, ishte një provë maturie. Është një shenjë e mirë për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Blerja e votës është sjellje e rëndë dhe jam besimplotë që qytetarët shqiptarë të kuptojnë rëndësinë e votës dhe të mos bëjnë këtë gabim. Prezenca ndërkombëtare do të ndihmojë në monitorimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Kjo sjellje korrekte do të jetë një sinjal pozitiv për integrimin europian të Shqipërisë”, është shprehur Cutillo. Vettingu duhet finalizuar deri në shtator, theksoi ai, pasi BE është gati për të vijuar më tej këtë proces të nisur. “Është një impenjim që të gjitha partitë po e mbajnë, që të përshpejtojnë, pra ta bëjnë përpara zgjedhjeve mbylljen e përzgjedhjes së anëtarëve të komisionit të vettingut. Ky do të ishte një sinjal pozitiv pas të cilit vettingu do të finalizohet deri në shtator. Unioni europian dhe vendet e tjera janë gati, shpresojmë që edhe Shqipëria të jetë gati në shtator”, tha ambasadori italian. Është rezultati zgjedhor ai që parashikon koalicionet qeverisëse, por Cutillo e sheh domosdoshmëri vijimin e reformave. “Besoj se të gjitha forcat politike janë të impenjuara për reformat. Rezultati i zgjedhjeve do të përcaktojë kush do të qeverisë. Se di nëse do të jetë qeveri mes forcave të mëdha, por jam i sigurtë se kushdo që të fitojë zgjedhjet do të vijojë reformat, ku kryesore është ajo në drejtësi. Pa këtë, rrugëtimi në Europë do të ndalej. Besoj se asnjë forcë politike nuk do të merrte përsipër bllokimin e integrimit europian të Shqipërisë”. Rëndësia e realizimit të zgjedhjeve me standarde duket se do të jetë pika kyçe që i ndez dritën jeshile vendit për anëtarësimin në BE. Në Shqipëri, sa vjen e rritet numri i vëzhguesve vendas e të huaj për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Deri tani janë regjistruar rreth 500 vëzhgues të pavarur, pa përfshirë këtu vëzhguesit partiakë, të cilët edhe ata pritet të jenë më të shumtë sivjet. KQZ miratoi pjesëmarrjen e grupeve të reja të vëzhguesve afatshkurtër nga Asambleja parlamentare e OSBE-së dhe organizatave vendase. Regjistrimet e djeshme e ngritën në afro 500 numrin e vëzhguesve të pavarur vendas e të huaj, pa përfshirë këtu qindra vëzhgues të partive në zgjedhjet e 25 qershorit. Fushata zgjedhore ka përfshirë gjithë vendin edhe zyrtarisht, ndonëse faktikisht, sipas vëzhguesve ajo ka nisur 6 muaj më parë, edhe për shkak të zgjatjes së krizës politike dhe shtyrjes së datës së zgjedhjeve.