Tropojanët përbuzën Ramën dje në pseudotakimin që ai kishte planifikuar për të hapur fushatën elektorale të Partisë Socialiste atje. Vetëm një grusht i vogël njerëzish dhe këta familjarë, farefis i kandidatëve të Ramës kishin dalë në takim, ndërsa pjesa tjetër ishte sjellë posaçërisht me autobusë nga Tirana. Duke i paraprirë dështimit të tij, Rama kishte porositur enkas mbushjen e pesë autobusëve me militantë, të cilët shoqëruan Ramën dje në Tropojë, e më pas në Kukës e në Has, me qëllim mbushjen e takimeve elektorale të tij në këto zona. Por ndërsa tropojanët, hasjanët dhe kuksjanët i dhanë përgjigjen e merituar Ramës duke bojkotuar takimet elektorale të tij, ata janë bashkuar të gjithë fuqishëm me projektin e Bashës për Republikën e re. Basha hapi fushatën elektorale në Tropojë ku prezantoi aty ekipin fitues dhe programin ambicioz të Partisë Demokratike për rimëkëmbjen ekonomike të shqiptarëve dhe gjithë vendit në tërësi. Kryetari i opozitës Lulzim Basha tha në Tropojë, se në ditën e parë të Republikës së re, ai do të jetë kryeministri i njerëzve të thjeshtë, punësimit dhe taksave të ulëta. Republika e re ka një plan konkret për ekonomi të fortë pa të cilën nuk mund të ketë qytetarë dhe shtet të fortë, tha Basha. “Vendimi im i parë do të jetë ulja e TVSH-së, taksa e sheshtë 9%, qindra milionë euro do të jenë në xhepat tuaja. Konsumi do të rritet, paraja do të qarkullojë, investimet kapitale do të rriten, kreditimi do të nisë, mijëra vende pune do të krijohen, energjitë pozitive do të çlirohen. Unë do të luftoj ditë e natë, prej orës time të parë për vendet e punës, për punësimin tuaj, për punësimin e rinisë”. Çdokujt do t’i jepet mundësia të ketë të ardhme më të mirë nën qeverisjen e tij, tha Basha. “Për këtë jam futur në politikë. Nuk jam futur për rehatinë time sepse jetën time arrita ta ndërtoj para se të futesha në politikë. Ju e dini, mundësia m’u dha fare i ri të studioj në Holandë, në Universitetin e Utrechtit ku mbarova me rezultate të shkëlqyera në të drejtë ndërkombëtare. U punësova dhe punova me përkushtim në Tribunalin e Hagës, ku punova me skuadrën që përgatiti aktakuzën kundër kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviçit. Vazhdova punën time në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në ndihmë të vëllezërve dhe motrave tona në Kosovë. Ia dola me djersën e ballit, me punën time të shkëlqej në çdo mundësi që m’u dha dhe ndërtova një jetë të mirë për veten time dhe për familjen time”, tha Basha. Po lideri demokrat tha se ka ardhur koha që çdo i ri, çdo shqiptar të ketë sot shanset që ai pati dhe për këtë do të punojë ai. Nën logon e Partisë së Demokratike të themeluar nga Azem Hajdari dhe Sali Berisha, ka ardhur koha të hapim derën e Shqipërisë europiane, theksoi nga Tropoja kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.