Vazhdon vëmendja e mediave britanike ndaj emigrantëve shqiptarë që kanë ngritur një kamp në zonën shkëmbore Dieppe në Francë. Këtë herë është “Daily Mail” që ka vizituar kampin e shqiptarëve që kërkojnë të kalojnë përmes Kanalit La Mansh për në Britani.
Tabloidi britanik, “Daily Mail” ka marrë prononcimin e një shqiptari 24-vjeçar të deportuar më herët këtë vit, i cili e quan veten Jimmy Korbi dhe është mes 150 shqiptarëve që jetojnë në tenda në një zone shkëmbore në Dieppe. Ai kishte mbërritur të mërkurën në kamp dhe si shumë të tjerë para dy vitesh kishte hyrë në Britani me kamion. “Me të mbërritur, ata kanë punuar në ndërtim në të zezë përpara se të kapeshin nga zyrtarët e emigracionit. Ata janë deportuar mbrapsht për në Shqipëri në avionë të financuar nga taksapaguesit”, shkruan “Daily Mail”. Por tabloidi thekson se ky veprim është i kotë nga autoritetet britanike, pasi ata tentojnë të kthehen përsëri disa javë më pas me kamionë ose përmes detit.
Shqiptarët shprehen për “Daily Mail” se, po gjejnë porte të vogla siç është Dieppe dhe Cherbourg, sepse siguria në Kale është rritur kohëve të fundit. Emigrantët paguan nga 7 deri në 8 mijë paund për një vend në anije apo kamionë për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar. Korbi thotë se më shumë se 50 shqiptarë hyjnë në Britani përmes pjesës veriore të Francës çdo javë.
“Ne përpiqemi që të qëndrojmë larg nga kampi kryesor në Kale për të mos tërhequr shumë vëmendje. Ne përpiqemi të tregohemi të zgjuar dhe përdorim porte si Dieppe që ka më pak kontrolle. Po përpiqem që të hipi në një kamion, sepse nuk kam para mjaftueshëm që të paguajë personat që dërgojnë shokët e mi me anije”, shprehet 24-vjeçari.
Po ai thekson se, tashmë ky rrugëtim drejt Britanisë është bërë më i vështirë për shkak të kamerave të sigurisë dhe kontrolleve të policisë. Shqiptarët në kamp e pranojnë se janë emigrantë ekonomikë në përpjekje për të fituar më shumë para, ndryshe nga refugjatët që ikin nga persekutimi apo zonat e luftës. “Daily Mail” shkruan se, emigrantët jetojnë në tenda me rrezikun që mund të goditen nga ndonjë gurë që bie nga shkëmbinjtë gjatë natës.
Por pavarësisht këtij rreziku, ata janë të lumtur me shtëpinë e tyre të përkohshme që i mundëson atyre një pamje perfekte, shkruan tabloidi britanik.
Ndërkohë, prestigjozja bën të ditur se një 16-vjeçar, Igor Ogazidede, nuk mund të paguajë trafikantët që t’i garantojnë kalimin nga Franca për në Britani, kështu që po përpiqet të hipë në një kamion fshehurazi. Ai thotë se, një shok i tij mbërriti në Mbretërinë e Bashkuar me kamion natën e kaluar, dhe shprehet se ky është një lajmi i mirë për të gjithë shqiptarët që jetojnë në kamp. “Jam përpjekur çdo ditë për 5 muaj. Unë thjeshtë duhet të pres për momentin e duhur. Policia franceze më kanë thënë se do më deportojnë për në Shqipëri, nëse dëmtoj ndonjë kamion, kështu që përpiqem që të gjejë një që është i hapur, ose të fshihem poshtë rrotave me shpresën që askush të më shohë. Kërkoj me dëshpërim që t’i bashkohem vëllait tim në Angli për të punuar në të zezë. Prindërit e mi janë në Shqipëri dhe unë do t’u dërgoj atyre para kur të filloj që të fitoj”, shprehet 16-vjeçari për prestigjiozen britanike.
Ndërkohë, “Daily Mail” thekson se ky zhvillim vjen pas shpëtimit të 18 shqiptarëve nga rojet bregdetare, ndërsa bën të ditur se 5 prej tyre kanë kërkuar azil. Ndërsa për 13 të tjerë po bëhen procedurat për kthim mbrapsht. “Daily Mail” njofton se trafikantët janë kryesisht shtetas britanikë, si dhe theksohet se policia vendase ka arrestuar vetëm disa prej tyre.
Mediat Britanike kanë publikuar dje disa pamje amatore të 18 shqiptarëve që u shpëtuan nga mbytja në kanalin e La Manshit, duke u përpjekur të arrinin me një gomone në brigjet e Britanisë së Madhe. Ata u nisën nga Kenti i Gjermanisë, pasi u kishin parguar disa trafikantëve anglezë nga 8 mijë paund secili. Policia zbuloi se trafikantët kishin paguar vetëm 3 mijë paund për të blerë gomonen në eBay. 18 shqiptarët u dërguan në zyrën e Emigracionit, ku u intervistuan dhe pritet të kthehen në Gjermani.
Mediat britanike: Shqetësim, numri në rritje i azilkërkuesve shqiptarë
Azilkërkuesit nga Shqipëria po shndërrohen në problem serioz për Britaninë e Madhe. E përditshmja britanike “Daily Mail” shkruan se 5 prej 18 shqiptarëve, që i shpëtuan mbytjes së varkës me të cilën po lundronin ilegalisht fundjavën e kaluar nga brigjet franceze drejt atyre britanike, kanë kërkuar azil në Britaninë e Madhe. Ata aplikuan për azil, pavarësisht se vendi i tyre nuk është në luftë –shkruan “Daily Mail”.
Megjithatë shqiptarët shfrytëzojnë aspekte të tjera për të përfituar azil, shkruan e përditshmja britanike, duke u hequr se i përkasin minoriteteve etnike si p.sh se janë kosovarë, ose duke këmbëngulur se janë homoseksualë dhe jeta e tyre është në rrezik nga homofobia në nivele të larta në vendin e tyre të origjinës.
Në këtë mënyrë, për periudhën 2008-2014, nga 4653 kërkesa për azil nga shqiptarët në Britaninë e Madhe, 31% e tyre kanë arritur t’a përfitojnë. Sipas “Daily Mailit”, statistikat tregojnë se 70% e shqiptarëve që kanë kërkuar azil në Britani, nuk janë rikthyer më në Shqipëri.
“Daily Mail” kritikon ashpër ligjet britanike të migracionit. Përmes një tjetër artikulli, sillet rasti i dy familjeve kanadeze dhe australiane që po përballen fortë me rrezikun e dëbimit nga Britania e Madhe. Familja kanadeze ka investuar 200 mijë paund për të ngritur një restorant në një fshat malor në Skoci. Por rrezikojë të mos u rinovohet leja e qëndrimit, sepse kanë punësuar vetëm një kamarier dhe jo dy. Autoritetet e migracionit thonë se, ata nuk i përmbushin kushtet për rinovimin e vizës.
Ndërsa familja australiane po lufton fort për të përfituar një leje qëndrimi, pasi erdhën në Britani si pjesë e fushatës së qeverisë rajonale të Skocisë, për të ripopulluar rajonet alpine. Por autoritetet nuk u japin leje punësimi dhe janë aktualisht të pastrehë. Ata ankohen se, kriminelëve shqiptarë si Saliman Barçi i akuzuar për të paktën 2 vrasje në Britaninë e Madhe, që ka përfituar azil me pasaportë false kosovare shumë vite më parë, u jepet e drejta për azil dhe përfitojnë nga benefitet e azilantëve. Ndërsa shtetasit kanadezë e australianë që kontribuojnë për ekonominë britanike dhe janë pjesë e Komonuelthit, rrezikojnë dëbimin.