Dallavere në emër të Mozartit

Nga Andy Wharhol

Edi Rama i ka shumë qejf eventet masive. Ato i sigurojnë shumë publik. I shikon si fushatë elektorale. Këtë metodë e ka nisur që në vitin 2001 me koncertin e Skorpionsave (2 ditë rresht tek stadiumi “Dinamo”) dhe me radhë.
Pastaj metodën ja kopjuan të djathtët ku arriti kulmi me koncertin e Rita Orës (600 mijë euro kosto). Rama ju premtoi të zgjedhurve që eventet tip “Çiljeta” nuk do të vazhdojnë më sepse kushtojnë sa një koncert i Robbie Williams.
Por kjo u harrua shpejt dhe vijoi skandali i koncertit të Jessie J. (200 mijë euro qira fonie). Edhe po të shesësh drogë nuk fiton dot kaq shumë për një natë.
Më pas erdhi Festa e Dritave. Kjo e fundit u kopjua dhe nga “Lali Eri”, i cili aplikoi të njëjtën formulë me John Neëman dhe Dua Lipa-n duke hedhur në kosh miliona lekë.

Si funksionon skema “Art-Dallavere”
Konkretisht po e shpjegojmë me koncertin e Shkëlzen Dolit. Gjithmonë kam dëshirë t’i filloj arsyetimet nga financimet, sepse aty qëndron dhe “kleçka” e një aktiviteti. Shkëlzen Doli është financuar me 166 mijë euro nga Ministria e Kulturës, për një kompani biznesi që e ka çelur para 4 muajsh.
Së pari, është financim shumë i dyshimtë sepse që të marrësh një shumë të tillë duhet të kesh një eksperiencë në treg jo më pak se 2 vjet.  Doli është muzikant, jo menaxher arti apo administrator. Por është bërë menaxher në këtë rast se i duhet për të marrë lekët.
Nga ana tjetër, Mirela Kumbaro dallohet për shkeljen e ligjit në raste të ngjashme me akordimin e fondeve të majme për projekte të paqarta. Rasti më flagrant është tenderi për vizitën e Papës dhe Festa e Dritave, ku përkatësisht fondet prej 350 mijë euro dhe 110 mijë euro, iu dhanë dy kompanive që ishin themeluar pak javë para hapjes së tenderit.
Për këtë arsye dy drejtoresha dhanë dorëheqjen nga Ministria e Kulturës dhe ndoshta për këtë arsye, Mirela Kumbaro po mendon të kandidojë për deputete, pasi u bë anëtare e Kryesisë së PS-së brenda një viti. Ku i dihet, ndoshta e ka të domosdoshme mbrojtjen politike.
Ministria e Kulturës kur i akordon artistëve shqiptarë fonde deri në 5 mijë dollarë, u kërkon një sërë atributesh artistike ekonomike, por Shkëlzen Doli i merr tak-fak plot 166 mijë euro. Pyetja shtrohet pse kaq shumë fonde dhe si? Si muzikant apo si menaxher?

Pse nuk i dhanë 30 mijë USD, por 160 mijë? Si u bë hesapi?
Shteti ynë është i varfër ekonomikisht dhe kulturalisht (Galeria e Arteve e ka buxhetin 48 mijë dollarë në vit. Teatri Kombëtar 140 mijë dollarë në vit). Po Shkëlzen Doli ç’ne merr kaq shumë?
Jam shumë kurioz të di se sa ka marrë nga OSHEE-ja dhe sa do të fitojë nga biletat (normalisht tatimet duhet ta dinë në të ardhmen). Dhe ky rast nuk është i vetmi. Po kështu ka marrë Angjelin Preljocaj rreth 120 mijë euro për shfaqjet e tij, por dhe disa të tjerë.

Të zhvatësh në emër të Mozartit
Unë nuk di në ndonjë rast që qeveria austriake të ketë paguar në shumën prej 100 mijë eurosh ndonjë orkestër shqiptare që luan muzikë shqiptare popullore (siç është dhe “Danubi Blu” për austriakët).
Ministria e Kulturës së Shqipërisë ka politikë nxitjen dhe financimin me lekët e taksapaguesve shqiptarë të kulturës shqiptare. E theksoj, shqiptare.
Shkëlzen Doli dhe të gjithë orkestrantët e tjerë luajnë muzikë austriake dhe jetojnë në Austri. Me këtë fond të majmë, nëse gjysma do i jepej Shkëlzen Dolit dhe pjesa tjetër do i shpërndahej artistëve shqiptarë, do të realizoheshin të paktën 20 koncerte ose 3 shfaqje teatri.
Pse nuk financon Ministria e Kulturës muzikën kaba me 135 mijë dollarë ose polifoninë labe ose vepra gjuhësore shqiptare? Ça është kjo? Ministri e Brukselit? Apo e Shqipërisë?
Koncerti i Dolit është një sajesë që bëhet në prag fushate nga një piktor eksperimental modern, por që dashuron muzikën klasike (e çuditshme kjo).
Filarmonia e Vjenës nuk është grup tallavaje që brenda 24 orëve bën dy koncerte në dy shtete të ndryshme. Kjo është një mundësi për të bërë lekë në emër të Mozartit apo Shtrausit, për publikun mavri shqiptar që akoma kënaqet realisht vetëm nëpër dasma, sepse pjesën tjetër kulturore e ka privatizuar shteti.
Kjo ndodh sepse Rama e  ka shndërruar artin në monopol ekskluziv personal. I do të gjitha për vete.
Për pasojë na ndodh që dhe muzikantë të mirë si Shkëlzen Doli, ndonëse punojnë në Vjenë, degradojnë dhe blihen me fonde abuzive, fonde që e kanë rubinetin tek kapriçot e piktorit eksperimental Edi Rama.

Andy Wharhol është nofkë. Autori është funksionar publik. “Hashtag.al” aprovoi publikimin nën anonimat, pasi prevalon interesi publik

Exit mobile version