France24: Parajsa e plehrave në vendin më të korruptuar

Ligji për importin e plehrave në Shqipëri është një ndër më të debatuarit, mes qeverisë që kërkon ta miratojë dhe Shoqërisë Civile dhe opozitës që e kundërshton.
Prestigjiozja franceze ‘France24’ ka bërë një reportazh rreth kësaj çështjeje, duke e cilësuar Shqipërinë si një “parajsë riciklimi” që mund të bëhet së shpejti nëse ligji votohet në Parlament.
“Qeveria shqiptare po kërkon të miratojë një ligj që do të lejojë importin e mbetjeve në vend. Autoritetet thonë se kjo do të mundësojë rritje të ndjeshme ekonomike në sektorin e riciklimit. Por, shumë qytetarë kanë shprehur dyshimet në aftësinë e autoriteteve për të monitoruar në mënyrë strikte importin e mbetjeve që do të hyjnë në vendin më të korruptuar të Evropës”, raporton ‘France24’.
‘France24’ ka intervistuar përfaqësues të mazhorancës që mbështesin këtë ligj, si dhe anëtarë të Shoqërisë Civile që e kundërshtojnë.
Qeveria shqiptare po kërkon që të importojë plehra nga vende të tjera, ndërkohë që qytetarët po i bëjnë një opozitë të fortë kësaj ideje për shkak të “erës së ndyrë”.
Vullnet Haka ka një kompani riciklimi dhe ankohet se kompania e tij nuk po përdoret me kapacitet të plotë. Ai thotë se me miratimin e ligjit, kompania e tij mund të nisë punën me kapacitet të plotë dhe mund të punësojë të paktën 100 persona. Ai tregon se tani po punon vetëm me riciklimin e plastikës.
Sipas atyre që e mbështesin miratimin e këtij ligji, Shqipëria mund që shumë shpejt të shndërrohet në një parajsë riciklimi dhe të zhvillojë ekonominë e saj. Parlamenti e votoi ligjin këtë verë, por pas opozitës së fortë të qytetarëve u kthye sërish në Parlament. Tani parlamentarët kërkojnë që ta adoptojnë në një votim të dytë.
Sipas biznesmenit Vullnet Haka, nuk ka kuptim të mos lejohet të importojë plehra, pasi në Shqipëri ato nuk gjenden në sasinë e duhur për të ndikuar edhe në ekonomi. Ndërkohë, Italia është e interesuar gjithashtu që ky ligj të miratohet për shkak të një kontrate të lidhur mes qyteteve të Veronës dhe Tiranës.
Megjithatë zëri opozitar është shumë i fuqishëm. Ambientalistët u mobilizuan. Njerëz si Adriatiku po përgatit protestën e radhës për të penguar Parlamentin që të kalojë ligjin. Në Shqipëri shteti është i dobët dhe korrupsioni mbulon gjithçka. Shoqatat tremben se, qeveria mund të fshehë hyrjen në Shqipëri të tonelatave të plehrave të pakontrolluara, siç ka ndodhur edhe në të shkuarën. Lëvizja kordinohet nga një person që quhet Lavdosh Ferruni, i cili është ambientalist lider.
“Qeveria u kthye tek ëndrra e vjetër e importit të mbetjeve, por qytetarët vendosën ta marrin në duart e tyre, duke menduar se importi i mbetjeve nuk është diçka që i përket zhvillimit të Shqipërisë”.
Kjo është një histori e vjetër. Në 2013, shoqatat i thanë “JO” importit të mbetjeve. Këtë herë ata kërkuan që të parandalojnë një votim të përshpejtuar përmes një mobilizimi masiv.
Adriatik Lapaj, një ndër krerët e lëvizjes anti-mbetje thotë: “Ne nuk po mundohemi të koordinojmë Shoqërinë Civile këtu përpara protestës sonë para Parlamentit. Atje do të diskutojmë me kujdes sërish. Për shkak të mobilizimit tonë Presidenti i Republikës ktheu ligjin sërish në Parlament”.
Vetëm pak muaj përpara zgjedhjeve, Parlamenti është i ndarë. Eduart Shalsi po del jashtë rrugës së tij për ligjin që ai e ka hartuar. Ky parlamentar beson se, Shqipëria mund të ndërtojë një industri të vërtetë riciklimi me gjithë kujdesin për të mos sjellë edhe mbetje të rrezikshme. Ai thotë se është shumë e rëndësishme të kuptojmë se zhurma e transformimit të Shqipërisë në një depozitë mbetjesh është fals, është thjesht e pavërtetë. “Çfarë po kërkojmë ne të sjellim këtu, thotë ai, është çfarë ju në Bashkimin Europian e quani materiale sekondare të papërpunuara, mbetje të riciklueshme”.
Ndoshta, Shqipëria një ditë mund të gjendet përballë faktit të kryer të riciklimit të mbetjeve.  Fazile duket 50 vjeçe, por është vetëm 24 dhe është një ndër 30 000 ricikluesit informal që i shesin mbetjet tek sekserë  informalë, të cilët ua shesin kompanive që veprojnë në këtë sektor. Ajo thotë: “Unë kam dalë nga shtëpia në 7:30 në mëngjës e punoj deri në 10 paradite. Nuk fitova shumë para, gati 200 lekë. Në shtëpi kam 4 vajza dhe burrin. Jemi 6 persona”. Në mes të këtij debati një prej ricikluesve vdiq në shtator.
Gazetarin Altin Rama e larguan nga televizioni, pasi investigoi dhe publikoi mospërputhjet mes pozicionit zyrtar dhe realitetit në terren. Ai ka thënë për prestigjiozen “France 24” se, qeveria shqiptare nuk kontrollon dot kufijtë. “Ky vend, thotë Altin Rama, nuk ka dëshirën më të vogël të kontrollojë trafikun e drogës nga policët e vet. Çfarë mundësish ka ky vend të kontrollojë se çfarë hyn, me çfarë motivi ta bëjë atë? Shërbimet e ndryshme janë të paafta që të zbatojnë ligjin dhe të sigurojnë territorin apo kufijtë”. Për habinë e të gjithëve, Parlamenti e shtyu votimin.
“Ju jeni plehra”, bërtisnin protestuesit, por ishin vetëm nja 200 veta përpara Parlamentit. Një ndër protestuesit thotë: “Ka mungesë transparence. Qytetarët nuk pyeten për asgjë”. Një protestuese thotë: “Ne kemi probleme të riciklojmë mbetjet tona. Vetëm 20% të tyre mund të riciklojmë. Ky duhet të jetë prioriteti ynë”.
Në një përhapje të lëvizjes opozitare për ligjin e mbetjeve, nuk ka siguri në suksesin e qeverisë për të kaluar ligjin në Parlament. Në fillim të viteve 2000, mijëra tonelata mbetje janë importuar në Shqipëri pa kontroll. Kohët e fundit Europol e ka ndaluar tregtinë e jashtëligjshme të mbetjeve sipas standardeve të Bashkimit Europian. Gjithashtu doganierët italianë kanë kapur ngarkesa të shumta mbetjesh të destinuara për Shqipërinë.
Si kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian, Shqipërisë i duhet që ta zgjidhë problemin përmes menaxhimit të mbetjeve. Përsa i përket momentit duket se duhen ende shumë kohë që një gjë e tillë të ndodhë.

Përgatiti: Redin Hafizi

Exit mobile version