De Biasi: “Pësuam një gol budalla”!

Miqësorja e fituar 3-1 me Katarin, nuk i la shije të mirë trajnerit Gianni De Biasi, ndryshe nga ushqimi në rezidencën e kuqezinjve në Bad Waltersdorf. “Tani jam i kënaqur, sepse sapo mbaruam së ngrëni dhe bëmë një punë të mirë. Ishte një ndeshje deri-diku e mirë. Në pjesën e parë provova idetë që kisha në mendje pas gjithë këtyre ditëve grumbullim. Përveç minutës së parë, ku u duk se skuadra nuk kishte dalë nga tuneli, pjesa tjetër ishte përgjithësisht pozitive”, u shpreg De Biasi. Drejtuesi i stolit të Kombëtares ishte veçanërisht kritik për golin e shpejt të pësuar, duke paralajmëruar skuadrën. “Nuk e kuptoj. Pësuam një gol edhe më të shpejtë se herët e tjera. Kur nisi loja, në vend që ta luanim topin përpara e kaluam mbrapa. Pësuam një gol budalla. Duhet të punojmë shumë në këtë pikë, pasi episode të tilla bëjnë diferencën në Europian”, tha ai.
De Biasi u shpreh i sigurt se skuadra do të paraqitet në formë optimale në finalet e Euro 2016, pavarësisht se sulmuesit Gashi, Cikalleshi apo Balaj nuk arritën sërish të shënonin. “Shënoi Sadiku. Ndonjëherë mjafton të shënosh një gol në ndeshje. Do të shënojnë kur të vijë momenti, nuk duhet të shqetësohemi. Kemi punuar shumë gjatë kësaj jave dhe lojtarët kanë lodhje në këmbë. Mendoj që sulmuesit do të jenë në formë optimale fizike në Francë”, tha De Biasi.
Trajneri kuqezi sqaroi zgjedhjet e tij për formacionin titullar dhe vendimin për t’ia lënë shiritin e kapitenit, mbrojtësit 22-vjeçar Elseid Hysaj. “Fusha dhe stërvitja e vendos atë që luan. Lojtarët në fushë nuk përcaktohen nga emrat. Futbolli është një sport demokratik dhe nuk njeh hirearki. Zgjedhjet e mia janë bërë gjithmonë në bazë të asaj që lojtarët japin në fushë dhe jo nga emri. Hysaj kapiten? Është një lojtar që mund të luajë edhe për 10 vjet me Kombëtaren. Ka kualitetin për ta bërë këtë detyrë. Është pjesë e skuadrës prej vitit 2013 dhe ishte e drejtë që t’i jepnim shiritin pas sezonit të shkëlqyer me Napolin dhe eksperiencën ndërkombëtare që ka”, tha ai.
Si zakonisht, De Biasi nuk jep nota për ndeshjen, të paktën jo publiksht. “Nuk i jap asnjëherë nota. Unë notat i kam personale dhe i mbaj për vete. Ato nota vlejnë me të vërtetë”. Kur kanë mbetur pak orë nga shpallja e listës zyrtare me 23 kuqezinjtë që do të udhëtojnë drejt Francës, trajneri nuk zbuloi detaje. “Edhe nëse ndonjë prej titullarëve ndaj Katarit do ta kishte humbur vendin në skuadër nuk do ta thoja tani… Ua kam treguar se kur do ta zbuloj listën përfundimtare…”, përfundoi De Biasi.

Exit mobile version