Kryeministri Rama ka deklaruar për Euronews se tenderi për prishjen e Teatrit Kombëtar është autorizuar nga Komisioni Evropian.
“Gjithçka është rishikuar nga Komisioni Evropian dhe është autorizuar me kushtin që të kishte një garë. Gara është hapur, kështu që pjesa tjetër është vetëm…”
Në kundërshtim me deklaratat e tij në gjuhë të huaja në mediat e huaja, vetëm pak ditë më parë Kryeministri Rama e rikonfimoi në gjuhën shqipe se rezultati i garës në tender është i parapërcaktuar: në tokën e teatrit do të zbatohet projekti i mikut të tij, Bjarke Ingels. Këtë projekt e ka porositur Fusha shpk.
Në fakt, Komisioni Evropian nuk ka aprovuar, aq më pak të ketë autorizuar shembjen e Teatrit, ligjin special Fusha apo tenderin me rezultatin e paracaktuar nga qeveria Rama.
Ndër shumë pika të tjera, Komisioni Evropian i ka kërkuar qeverisë shqiptare të respektojë parimet e konkurrencës së lirë, duke i dhënë mundësi çdo kompanie, dhe jo vetëm Fushës, për të konkurruar me projekte. Ndërkohë, tenderi i shpallur nga qeveria është sajuar për t’u fituar nga kompanitë pranë qeverisë Rama.
Ambasadori i BE-së Luigi Soreca, ka mbajtur qëndrim mbështetës ndaj nismës së Ramës për të shembur Teatrin. Në një takim me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit vitin e shkuar, ai deklaroi se BE-ja nuk mund të ndërhynte për këtë çështje. Pas hapjes së tenderit fiktiv pak javë më parë, ai sërish e mbështeti qeverinë, duke deklaruar, si Rama, se kjo çështje është “politizuar”, se ka tashmë një tender, dhe se e rëndësishme është që procedurat të jenë në përputhje me kërkesat e BE-së dhe shtetin e së drejtës.
Është e qartë se ato nuk janë në përputhje me kërkesat e BE-së apo me shtetin e së drejtës, pasi paracaktojnë fituesin e tenderit, por Ambasadori Soreca ka preferuar të mos e cekë këtë pikë.
Nga ana tjetër, edhe vetë gazetari Jack Parrock, i ulur në stolat e teatrit, bën gjithashtu një koment që mund të çojë lehtësisht në keqkuptim. Ai shprehet se protestuesit thonë se ata nuk po mbrojnë vetëm godinën, por edhe historinë e teatrit. Menjëherë më pas shton se:
“Ky ishte vendi ku u zhvilluan gjyqet e para komuniste pas çlirimit të Shqipërisë nga nazistët”. Për një audiencë që nuk e njeh mirë këtë çështje, mund të krijohet lehtësisht përshtypja se artistët po mbrojnë ekskluzivisht historinë e komunizmit dhe të gjyqeve të tij.
Ndërtesa e Teatrit Kombëtar u ngrit në vitin 1939. Në të janë dhënë shfaqjet e para teatrale duke ruajtur kujtimet e interpretimeve të shumë artistëve të njohur të historisë së artit shqiptar.
Reportazhi shfaq pamje nga ndërhyrja me forcë e policisë për të larguar me forcë artistët dhe orenditë nga Teatri, nga shfaqjet tashmë të rregullta që protestuesit po mbajnë në teatër, si dhe deklarata nga disa prej artistëve. Taulanda Jupi, pedagoge e Universitetit të Arteve, thotë për Euronews se:
“Dhunës së tyre, po i përgjigjemi me artin tonë dhe ky është mesazhi më i rëndësishëm që teatri mund t’i japë politikës.”
Regjisori Kastriot Çipi tregon se çështja në fjalë është më tepër sesa ndërtesa e teatrit:
“Nuk ka patur konsultime me publikun, askush nuk do t’ia dijë se çfarë mendojnë artistët dhe qytetarët. Kështu kjo është kthyer në një luftë për të mbrojtur dhe ruajtur demokracinë e këtij vendi dhe për t’i thënë ndal aleancës mes nismave private dhe politikanëve të korruptuar.”
Prej mëse tri javësh, Kryeministri Rama ka nisur një fushatë propagande me citime të disa artistëve pro prishjes së teatrit, në përpjekje për të krijuar ndarje mes artistëve dhe me pretendimin se kjo është një betejë mes një shumice dhe një pakice.
Siç Exit.al ka shpjeguar prej më tepër se një viti, projekti, që ka mbështetjen e qeverisë, synon që në këmbim të ndërtimit të një teatri të ri, pa garë, pa konsultime dhe në shkelje të ligjit, privatët të përfitojnë tokë publike dhe leje për të ndërtuar edhe 6 kulla shumëkatëshe.
Deklarata e Ramës se Komisioni Evropian ka “autorizuar” prishjen e Teatrit dhe tenderin e qeverisë, është në linjën e propagandës së tij për të përshirë institucionet e huaja në shkeljet ligjore apo dështimet e qeverisë. Më herët ai deklaroi se reforma e dështuar në drejtësi është “përgjegjësi e ndërkombëtarëve“, dhe se fajtor për moshapjen për të katërtën herë të negociatave me Shqipërinë do të jetë Bashkimi Evropian.
“Exit.al”