Kryeministri Edi Rama në emisionin Dritare të Rudina Xhungës foli për skandalin regjistrimin të pretenduar të Agron Xhafajt.
Kryeministri Rama pohoi se:
Unë e di këtë histori. Unë e di mbas 24 orësh që kaseta është e montuar. Unë i kam kërkuar partnerëve, ka partner Shqipëria, dhe i kam thënë a ka mundësi të di çfarë është kjo?
Kjo deklaratë ndryshon nga reagimi i tij i parë publik i Kryeministrit pas publikimit të audio përgjimit nga opozita më 14 maj 2018. Kryeministri Edi Rama deklaroi atëherë se regjistrimi i vëllait të Ministrit të tij të Brendshëm Fatmir Xhafaj, ishte analizuar nga një studio prestigjoze e huaj dhe se ishte vërtetuar që është e sajuar. Në një artikull të mëparshëm, Exit.al ka sqaruar se është gati e pamundur që Kryeministri të kishte marrë, dërguar dhe marrë përgjigje nga një laborator i huaj brenda 24 orësh për vërtetësinë e kasetës apo zërit të Agron Xhafajt.
Pohim i dytë i bërë dje duket edhe më i pabesueshëm se i pari sepse për të bërë të njëjtat veprime për mes një qeverie të huaj brenda 24 orësh është edhe më e pamundur.
Ndërsa një laborator privat mund të marri një porosi direkt pa asnjë procedurë, qeveritë e huaja nuk kanë asnjë mundësi që të veprojën jashtë procedurave të caktuara.
Për shembull qeverisë italiane iu desh më shumë se 1 muaj të vlerësonte kërkesën zyrtare të prokurorisë dhe të kthente përgjigjie, e cila ka mbetur e paqartë pse është refuzuar. Ndërsa policisë britanike iu desh tre muaj për t’i kthyer përgjigje qeverisë shqiptare.
E paimagjinueshme është edhe skenari në të cilin Kryeministri Rama t’ja ketë dhënë kasetën ndonjë qeveritari të huaj privatisht dhe ky i fundit ta këtë analizuar kasetën privatisht në një laborator të huaj.
Deklarata e Kryeministri duket edhe më shumë e çuditshme duke ditur se Instituti i Policisë shkencore në Itali iu desh më shumë se 1 muaj për tu shprehur zyrtarisht Prokurorisë shqiptare se nuk e analizon dot kasetën.
Ndërsa laboratotik britanik iu desh rreth 3 muaj për tu shprehur zyrtarisht mbi kërkesën e prokurorisë se materiali që prokuroria kishte dërguar në Britani nuk ishte origjinal, ndaj nuk mund të identifikoheshin zërat e personave që bisedonin më njeri tjetrin.
Ndaj deklaratat e kryeministrit me shumë gjasa janë të rreme. Por më e rëndësishëm është fakti se këto dy deklarata me gjasa të rreme i shtohen numrit të deklaratave apo pohimeve të rreme ose të dyshimta që ka bërë Kryeministri dhe qeveria e tij për këtë video duke shtuar dyshimet se ato po mundohen të fshehin të vërtetën cilado qoftë ajo.