Demiraj: Nëse sulmohen gjyqtarët, fiton krimi!

Kryetari i Gjykatës së Apelit Tiranë, Hysni Demiraj deklaroi dje gjatë një konference për shtyp se, nuk i trembet presioneve ndaj gjyqësorit nga njerëzit me pushtet. I pyetur nga gazetarët se, a ndjehet nën presion për çështjen e skandalit të përgjimeve, kryetari i Gjykatës së Apelit, Hysni Demiraj u shpreh se nuk e imagjinon dot se si mund t’i bëjë presion dikush. “Unë jam gjyqtari që kam fjetur 3 muaj me mitraloz në Gjykatën e Gjirokastrës më ‘97 dhe nuk e kuptoj si mund t’i bëhet presion Hysni Demirajt”, u shpreh kreu i Gjykatës së Apelit.
Fyerjet, denigrimi, sharjet dhe akuzat që artikuloi Kryeministri dhe ministri i Brendshëm ndaj gjyqësorit nuk i trembin njerëzit e drejtësisë. “Ju e keni anatemuar edhe në televizor figurën time, është puna juaj, por gjyqtarët që kanë një stazh të gjatë, kanë bërë një përzgjedhje shumë të shkëlqyer. Ne jemi lidh me gjënë më të fortë që ka planeti, me ligjin dhe duke qenë se ne zbatojmë vetëm ligjin, nuk kemi asnjë lloj frike. Gjyqësori në çdo vend të botës konsiderohet si dhëmbët e hekurt të një shteti. Shteti vetë përpiqet t’i dobësojë dhëmbët e tij. Atëherë kush fiton? Krimi dhe vetëm krimi!”, u përgjigj Hysni Demiraj ndaj presioneve të qeverisë.
Demiraj tha më tej se, qeveria duhet të gjejë mekanizmat që të veçojë gjyqtarët e ndershëm nga të korruptuarit. Sipas kryetarit Demiraj, gjyqtarët gjykojnë të vërtetën juridike dhe jo të dhënat apo preferencat e ndonjë pale.
Në Gjykatën e Apelit pritet të merret vendimi për pezullimin e drejtorit të Policisë së Shtetit, Haki Çako, i pezulluar nga detyra nga Gjykata e Tiranës pas kërkesës së Prokurorisë. Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, kryetari i Gjykatës së Apelit, Hysni Demiraj, tha se ankimimi i pezullimit nga detyra e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako, është administruar në kryesekretari. Ai tha se pritet që brenda 10 ditëve tre gjyqtarët e kryesuar nga Marije Qirjazi dhe anëtarët Ervin Metalla dhe Fiqirete Mulla, do të marrin në shqyrtim ankimin.
Kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako prej 4 ditësh është i pezulluar nga detyra pasi akuzohet si i përfshirë në skandalin e përgjimeve. Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, çështja tani ndodhet në Gjykatën e Apelit, pas ankimimit të bërë nga ana e avokatit të Çakos.

Incidenti me shoferin

Kryetari i Gjykatës së Apelit Tiranë, Hysni Demiraj ka sqaruar edhe incidentin me shoferin e gjykatës. Demiraj u shpreh se, 25-vjeçari K.M., është nipi i ish-kreut të Gjykatës së Apelit, Alaudin Malaj. “Nuk do të fokusohem gjatë tek kjo ngjarje, pasi nuk ka asnjë incident me nipin e Malajt, por me vetë Malajn. Nipi i tij, ka qenë me vendim i pushuar nga puna dhe marrëdhëniet e punës kanë qenë të shkëputura”¬, tha kreu i Apelit Tiranë, Hysni Demiraj. Demiraj tha se, shoferi ka ardhur disa herë tek kryesekretarja e Gjykatës ndonëse ka qenë i pushuar nga puna dhe ai e ka nxjerrë jashtë nga sekretaria. Demiraj ka hedhur poshtë akuzën e shoferit 25-vjeçar se e ka qëlluar me grusht.
Shoferi i Gjykatës së Apelit në Tiranë ka denoncuar në polici kryetarin e gjykatës me pretendimin se është goditur me grusht. Në një njoftim për mediat policia thotë se ngjarja ka ndodhur dje në ambientet e gjykatës dhe se konflikti ka ndodhur për shkak të marrëdhënies së punës. K.M., ka qenë shofer i ish-kreut të Gjykatës së Apelit, Alaudin Malaj.

R.POLISI

Exit mobile version