Demiraj urdhër policisë për paratë e krimit në zgjedhje

Ministri i Punëve të Brendshme, Dritan Demiraj u kërkoi dje, drejtuesve të Policisë që të marrin masa për të mos lejuar blerjen e votave me paratë e krimit. Demiraj zhvilloi takime në Drejtoritë e Policisë në Kukës dhe Dibër për mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve më 25 qershor. Në njoftimin e Ministrisë së Brendshme thuhet se, “Demiraj ka trajtuar masat për një proces zgjedhor të paprekshëm dhe me standarde europiane, si dhe parandalim të përdorimit të parave me burim kriminal në blerjen e votës”.
Ministri Demiraj, i shoqëruar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako kërkoi angazhim maksimal për identifikimin dhe ndalimin e personave që do të tentojnë të ndikojnë në procesin zgjedhor dhe theksuan se, çdo përfshirje e efektivëve të Policisë në fushatë është vepër penale.
Ministri Demiraj përgëzoi Drejtorinë Vendore të Kukësit për masat për moslejimin e kultivimit të kanabisit në qark (në kufijtë e minimales) dhe kërkoi angazhim profesional për lehtësimin e radhëve të gjata në pikat e kalimi kufitar të Qarkut Kukës. Ministri Demiraj garantoi mbështetje maksimale për arritjen e misionit.
Ministri Demiraj ka zhvilluar takime me të gjithë drejtuesit e Policive në qarqe për garantimin e një procesi zgjedhor me standarde të larta profesionale nga ana e Policisë së Shtetit. Ministri u ka kërkuar drejtuesve të policisë, që të marrin masa për një proces zgjedhor të sigurt dhe të qetë.
Një nga prioritetet kryesore që ministri Demiraj ka diskutuar me drejtorët e policisë ishte parandalimi i përdorimit të parave të trafikimit të drogës dhe blerjen e votës. Demiraj u kujtoi drejtuesve të Policisë, se cilido që do të tentojë blerjen e votës do të dënohet me burg sipas ligjit.
Parlamenti miratoi para pak ditësh me shumicë të cilësuar votash ndryshime të reja në Kodin Penal, të cilat sanksionojnë për herë të parë, masa të rrepta të ndëshkimit për cilëndo që përfshihet në shitblerjen e votës. Kushdo që do të guxojë të përfshihet në veprën penale të shitblerjes së votës do të përballet me burg deri në 7 vjet.
Ashpërsimi i masave parashikon heqjen e gjobës, si në rastin e mëparshëm dhe zëvendësimin e saj me heqje lirie në rast të kryerjes së kësaj vepre penale. Për ata që do të tentojnë tjetërsimin e vullnetit të lirë të votuesve shqiptarë nuk do të ketë masa ndëshkimore si gjoba, por vetëm burg nga 1 deri në 7 vjet. Kjo vepër penale do të jetë e paamnistueshme. Do të dënohet nga 1 deri në 7 vite burg marrësi dhe dhënësi i kartave të identitetit.
Një çështje tjetër të rëndësishme që ministri Demiraj ka trajtuar me shumë vëmendje ishte ashpërsimi i luftës kundër kanabisit. Ministri u kërkoi drejtuesve të policisë, që të intensifikojnë luftën ndaj fenomenit të drogës, sidomos në parandalimin e saj në mbjellje apo kultivim.
Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj është takuar edhe me Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla për masat e rrepta që do të ndërmerren për zgjedhjet dhe drogën. Në takim është diskutuar për masat konkrete për neutralizimin e potencialit të blerjes së votave, ndjekjen penale të punonjësve të administratës të përfshirë në zgjedhje dhe luftën kundër drogës. Gjatë takimit, kryeprokurori Llalla është shprehur se nuk do të lejohet asnjë shkelje e ligjit për fushatën zgjedhore.

R.POLISI

Exit mobile version