Regjistroi 70 vetë fiktivë në vilën e tij për votat, paditet Gjoza i LSI

Administratori i Njësisë Bashkiake Nr. 2 në Tiranë, Elez Gjoza është paditur në Prokurori pasi akuzohet se ka regjistruar fiktivisht rreth 70 shtetas shqiptarë në banesën në pronësi të tij për të votuar për LSI-në. “Këta shtetas janë regjistruar me të njëjtin kod banimi. Nga hetimet e kryera, dyshohet se transferimi i gjendjeve civile të këtyre shtetasve dhe regjistrimi i tyre pranë Njësisë Bashkiake Nr. 2 është kryer me qëllim ndikimin në zgjedhjet e përgjithshme që do të zhvillohen në Republikën e Shqipërisë në datë 25.06.2017, duke u premtuar këtyre shtetasve vende pune në këmbim të votës”, informon Policia e Tiranës.
Bëhet e ditur se, specialistët e Seksionit të Hetimit të Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, kanë referuar materialet proceduriale në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të tij.
Gjithashtu këto specialistë, po punojnë për saktësimin e gjeneraliteteve të këtyre shtetasve. Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Detyrimi për pjesëmarrje në veprimtari politike”, “Korrupsioni pasiv në zgjedhje” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, parashikuar nga nenet 328/a, 328/b dhe 186/3 të Kodit Penal.

Hetimet

Hetimet kanë nisur që në qershor të vitit 2015, kur Elez Gjoza ishte kryetari i Minibashkisë Nr. 2 në Tiranë. Ai u kap në flagrancë në manipulimin e listave të zgjedhësve. Gjoza kishte regjistruar rreth 70 votues me kontrata fiktive vetëm në vilën e tij. Votuesit ishin regjistruar fiktivisht në Minibashkinë Nr. 2 sikur ishin banorë të vilës së Gjozës me Nr. 132, por asnjë prej tyre nuk banonte në vilën e tij. Këta votues fiktivë që ishin regjistruar në listën zgjedhore të Minibashkisë Nr. 2 Tiranë janë cilësuar si të panjohur për banorët e zonës. Lista mbante emra të familjarëve, të cilët nuk kishin asgjë të përbashkët me Gjozën përveç dëshirës për të manipuluar votat e 21 qershorit 2015 në Tiranë.
Regjistrimet e paligjshme janë bërë duke përdorur dokumentacion fiktiv për vendbanimin. Ligji i gjendjes civile kërkon që këta zgjedhës të jenë realisht banorë të Tiranës që të votojnë dhe jo thjesht të regjistrojnë kontrata fiktive qiraje apo sipërmarrjeje siç ka bërë Gjozaj me vartësit e tij në Minibashkinë Nr. 2. Një skemë të tillë manipulimi e bërë me dokumente.
Gjoza duke qenë në krye të Minibashkisë Nr. 2 në Tiranë regjistroi qindra persona fiktivë për të votuar për të majtët. Regjistrimi i 70 personave në vilën e tij nga kryetari i minibashkisë në listat e votuesve përbën një rast flagrant dhe duhet të dënohet sipas ligjit.
Vjedhja e zgjedhjeve në Tiranë nga banda e PS dhe LSI në vitin 2015 tashmë po faktohet dhe të njëjtët zyrtarë po tentojnë të manipulojnë edhe zgjedhjet e 25 qershorit të këtij viti.

Prokuroria të hetojë shpejt

Zëvendëskryeministrja Ledina Mandija i kërkoi Prokurorisë së Përgjithshme hetim të shpejtë për kallëzimin ndaj administratorit Elez Gjoza nga Sektori për Hetimin e Korrupsionit në Policinë e Shtetit. “Hetimi duhet të jetë i plotë, i drejtë dhe i shpejtë”, thotë Mandija në zbatim të procedurave ligjore.
Gjoza akuzohet për veprën penale të “Detyrimit për pjesëmarrje në veprimtari politike”, “Korrupsion pasiv në zgjedhje” dhe “Falsifikim të dokumenteve” me regjistrimin fiktiv në banesën e tij të 70 personave me qëllim ndikimin në zgjedhje.

Exit mobile version