Dënimet, vjedhjet dhe krimet e Prokurorit të komunizmit që minoi Gjykatën Kushtetuese

Adrian Dvorani e ka të ndaluar me ligj të jetë gjyqtar i lartë për shkak të përfshjirjes së tij në dënime politike në komunizëm. Ai jo vetëm u zgjodh, jo vetëm qendroi 9 vjet anëtar i Gjykatës së Lartë, çdo ditë në shkelje të ligjit, por pas mbarimit përfundimtar të mandatit të tij, ai vazhdon prej thuajse gjashtë vjetësh—rekord botëror ky—të jetë gjyqtar edhe pse në vitin 2016 Gjykata Kushtetuese vendosi që ai duhet të largohet.

Adrian Dvorani duhet të ishte shkarkuar nga vetingu për mos justifikim të qindra milionave, dhe deklarime qesharake huash marramëndëse nga familjarë, por ata që kanë përjashtuar prokurorë dhe gjyqtarë të ndershëm për mungesë faturash pak mijëra lekësh jo vetëm që e ruajtën, por vendimi e KPK-së për konfirmimin e tij nuk denjoi askush ta apelonte në KPA.

Sot, Dvorani është njeriu që ka uzurpuar vendim-marrjen e organin më të lartë qeverisës të sistemit të drejtësisë dhe me veprimet e veta po ndikon drejtësinë edhe për shumë vite të ardhshme.

Kush është gjyqtari Dvorani dhe cilat janë problemet kryesore të karrierës së tij.

Prokuror që ka marrë pjesë në procese politike gjatë komunizmit
I diplomuar në vitin 1988, Adrian Dvorani shërbeu gjatë viteve të fundit të komunizmit si prokuror në Shkodër (1988-1991). Me 13 dhjetor 1990, disa ditë pas shpalljes së pluralizmit, Dvorani kërkoi dënimin me burg të disa qytetarëve shkodranë me akuzën e rrëzimit të bustit të Stalinit.

Në bazë të Ligjit të Pastërtisë së Figurës apo ligji i lustracionit, Dvorani nuk duhet të ishte pjesë e sistemin gjyqësor. Neni 4 ligjit përcakton qartë:

“Pastërtia e figurës morale të funksionarit publik, të përcaktuar në nenin 3 të këtij ligji, është e papajtueshme me mbajtjen prej tij, gjatë periudhës 29 nëntor 1944 deri më 8 dhjetor 1990, të një prej detyrave/cilësive të mëposhtme: […] hetues, prokuror ose ndihmësprokuror, gjyqtar apo ndihmësgjyqtar në procese politike.”

Por në shkelje të ligjit, në shkurt 2005, shumica socialiste e zgjiodhi Dvoranin anëtar të Gjykatës së lartë për një mandat 9 vjeçar. Çdo ditë që ai ka shërbyer në këtë detyrë, çdo ditë që ai vazhdon të mbetet në detyrë, ai është në shkelje të ligjit. Fatkeqësisht, mandatin e tij nuk e sfidoi askush në bazë të ligjit të lustracionit, as ata që sot e akuzojnë për prokuror komunsit.

Qendrimi në detyrë përtej mandatit kushtetues
Në vitet e para të postkomunizmit Dvorani punoi si jurist në shoqërinë shtetërore të sigurimeve INSIG dhe si avokat. Me ardhjen e socialistëve në pushtet, duke filluar nga viti 1998 ai shërbeu në disa funksione të nivelit të mesëm në administratën socialiste.

Pa asnjë përvojë të mëparshme gjyqësore, me përjashtim të përfaqësimit të akuzës si prokuror në gjyqet komuniste, Ardjan Dvorani u zgjodh anëtar i Gjykatës së Lartë më 17 shkurt 2005 për një mandat 9 vjeçar. Mandati i tij përfundoi më datë 17 shkurt 2014, por edhe pse kanë kaluar më shumë se gjashtë vjet nga kjo kohë, Dvorani vijon të ushtrojë detyrën, me justifikimin se ai ka të drejtë të qëndrojë deri sa të emërohet pasuesi i tij.

Në vitin 2016, 35 deputetë të Kuvendit i kërkuan Gjykatës Kushtetuese të shprehej mbi përfundimin e mandatit të Dvoranit. Në qershor 2016, Gjykata Kushtetuese, me Vendimin Nr. 55, e shpalli antikushtetues atë pikë të ligjit që lejonte qëndrimin në detyrë pas mbarimit të mandatit të një anëtari të Gjykatës së Lartë derisa ai të zëvendësohej.

Por vendimi i Gjykatës Kushtetuese hyri në fuqi më 12 gusht, kur ai u botua në Fletoren Zyrtare, dy ditë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve të Kushtetutës, të cilat e kishin hequr farë nenin e vazhdimit të mandatit deri në zevendësim, por që nga ana tjetër në dispozitat tranzitore lejonin qëndrimin në detyrë të anëtarëve ekzistues të Gjykatës së Lartë deri në zëvendësimin e tyre.

Edhe pse rasti i tij ishte i pastër—ndryshimet kushtetuese e gjetën Dvoranin në detyrë për shkak të justifikimit të tij me një interpretim ligjor që gGykata Kushtetuese e hodhi poshtë—Dvorani ka vazhduar të qëndrojë në detyrë, duke vendosur kështu një precedent botëror, duke shërbyer mbi gjashtë vjet pas mbarimit të mandatit.

Problemet të mëdha me pasurinë
Në deklarimin e tij të pasurisë para komisionit të vetingut, Ardian Dvorani deklaroi se në vitin 2001 ai kishte përfituar një apartament banimi me sipërfaqe 120 metra katrorë, paguar nga kompania shtetërore Albetelkom sha, ku ai shërbente si anëtar i Bordit Mbikqyrës të kompanisë.

Apartamenti është blerë nga Albtelekom, përmes një kontrate sipërmarrje, nga një firmë ndërtimi. Por në kontratën ndërmjet Albtelekom dhe firmës së ndërtimt saktësohet se apartamenti kishte sipërfaqe 93 metra katrorë me vlerë maksimale 34 mijë euro. Midis Albtelekomit dhe Dvoranit nuk është firmosur asnjë kontratë shitje dhe asnjë kontratë kalimi pronësie.

Madje sipas informacionit teë hipotekës së Tiranës, Dvorani nuk është pronari formal i apartamentit, pasi nuk e ka regjistruar atë në emër të tij.

Justifikimi i Dvoranit është se ai e ka përfituar apartamentin nga skema lehtësuese e strehimit për punonjësit e Albtelekom në periudhën kur ai ka qënë anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Albtelekom. Ai deklaron se në vitin 2004 ka filluar të paguajë këstet e shlyrjes së apartamentit pranë Albtelekom.

Por në vitin 2013, Albtelekom, tashmë i privatizuar, ka vendosur t’ia falë Dvoranit shumën ende të papaguar me vlerë rreth 17 mijë dollarë, nga 34 mijë dollarë vlera totale e apartamentit.

Dvorani nuk jep ndonjë arsye pse Albetelom vendosi t’ja falë. Ai gjithashtu nuk ka arritur të justifikojë se pse ai ka përfituar një apartament me sipërfaqe 120 metra katrorë, kur kontrata e Albtelekomit me ndërtuesin është bërë për apartament me sipërfaqe 93 metra katrorë.

Nga ana tjetër, Dvorani nuk ka shpjeguar se si është e mundur që një kompani shtetërore i ka kaluar atij një apartament pa asnjë kontratë apo akt tjetër juridik, sikurse as ai dhe as KPK nuk kanë arritur të sjellin ndonjë informacion se si një kompani shtetërore ka lidhur kontrata me një ndërtues për apartamente për një anëtar të Këshillit Mbikqyrës, pa asnjë procedurë formale prokurorimi. Po ashtu Dvorani nuk shpjegon as faktin që nuk e ka regjistruar në hipotekë apartamentin.

Në vetë deklarimin për vetingun më 31.01.2017, Dvorani dhe familjarët e tij—bashkëshortja, djali dhe prindërit—nuk kanë deklaruar një shumë prej 9,9 milionë lekë (afërsisht 80 mijë euro) në llogaritë e tyre bankare.

Këtë mosdeklarim ai e ka justifikuar para komisionit të vetingut se kishte harruar të dorëzonte fletët e deklaratave. Por, edhe pasi ai i dorëzoi fletët e munguara, informacioni i përfshirë në to përmbante vetëm gjendjen e fundit të llogarive dhe jo gjithë ecurinë e llogarive që nga momenti i krijimit, sikurse kërkohet ligjërisht, pra deklarimin e shtesave ose pakësimeve të gjendjes së llogarive në çdo vit përkatës të periudhës së mbuluar.

Pavarësisht sa më sipër KPK vendosi ta konfirmojë në detyrë duke justifikuar në rastin e apartamentin se:
“[K]a qenë vullneti i Albtelekomit për t’ja shtuar sipërfaqen e banesës” dhe në rastin e mosdeklarimit të pasurive se “subjekti nuk ka pasur asnjë lloj motivi dhe qëllimi për fshehje pasurie, duke reflektuar një qëndrim kritik ndaj vetes për këtë pakujdesi, si dhe duke argumentuar ndërkohë mungesën totale të fshehjes së pasurisë (likuiditetet e padeklaruara)”.

Natyrisht, KPK nuk tregoi asnjë shqetësim që Dvorani vazhdonte të qendronte në detyrë në kundërshtim me ligjin dhe e vlerësoi pozitivisht edhe integritetin dhe aftësinë profesionale të tij.

Vendimi i KPK-së e mbajti në detyrë një gjyqtar që nuk duhet të kishte qenë asnjë ditë gjyqtar, por që vazhdon edhe gjashtë vjet pasi i ka mbaruar mandate./Exit

 

Exit mobile version