Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vendosi në mbledhjen e radhës të lejojë kandidimin e Eris Hysit si kandidat për Inspektor i Lartë i Drejtësisë dhe të ndalojë kandidimin e Klodian Rados për këtë post. Vendimi u mor pasi u shqyrtuan dy kandidaturat për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Burime pranë Gjykatës pohuan që zoti Rado nuk plotësonte kriterin e 15 vjetëshit të punës. Me këtë vendim duket se rrezikohet gara për ILD. Nëse ky vendim për kandidatin Klodian Rado ngelet në fuqi, pas një kundërshtimi të mundshëm në gjykatë, atëherë pozicioni për Inspektor të Lartë të Drejtësisë mund të përsëritet për konkurrim nga KED.
Ligji parashikon që në konkurrimin për Inspektor të Lartë të Drejtësisë duhet të jenë 5 kandidatë. Ata duhet të plotësojnë detyrimisht kriteret e 15 vjet përvojë pune në profesion, integritet të lartë moral e profesional, nuk duhet të kenë mbajtur funksione politike në administratë, ose nëpër parti politike 10 vitet e fundit.
Kandidatët për inspektorë të lartë të drejtësisë duhet po ashtu të mos jenë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimeve të inteligjencës, të mos jenë dënuar nga drejtësia për vepra penale dhe as të jenë pushuar më parë nga puna për shkaqe disiplinore.
Vendimi i djeshëm i KED për ndalimin e kandidaturës së zotit Rado mund të sjellë rishpalljen e vakancës për postin e ILD.
Zgjedhja e ILD duhet të ishte kryer në shkurt – mars 2017, ose 2 vjet e gjysmë më parë, 6 muaj pasi amendamentet kushtetuese të reformës në drejtësi hynë në fuqi.
Por, burime të besueshme e zyrtare nga KED i thanë Zërit të Amerikës se KED pritet të mblidhet të hënën për të vendosur nëse do të vijojë këtë garë me kandidatët e mbetur apo nëse duhet të rihapë garën nga e para. Kjo e fundit do ta shtynte me disa muaj të gjithë procesin, duke lënë bosh ngritjen e njërit prej institucioneve kyçe të sistemit të drejtësisë.
KED vendosi po ashtu në mbledhjen e djeshme edhe ndalimin e kandidimit për zonjën Zhaklina Peta, kandidate për anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Zonja Peta ka kandiduar në dy poste vakante për anëtare e Gjykatës Kushtetuese, që i përkasin presidentit.
Nëse edhe pas ankimimit emri i saj rrëzohet, atëherë i mbetet presidentit të vendosë nëse do ta rishpallë njërën nga vakancat e Gjykatës Kushtetuese e përcaktuar për presidentin.
KED rrëzoi disa ditë më parë 3 kandidatë të tjerë në një vakancë të përcaktuar për parlamentin, dhe ajo mbetet për t’u rishalllur gara. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vendosi ndalimin e kandidimeve, ndërmjet të tjerëve, edhe për Fiona Papajorgjin, Valbona Balën dhe Sinan Tafajn. Këta tre emra ishin të vetmit që kandidonin për zëvendësimin e ish anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo, të rrëzuar nga procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve.
Pas kësaj Parlamentit i duhet të shpallë një thirrje të re. Gjykata Kushtetuese, e cila aktualisht ka vetëm një anëtar, Vitore Tushën, pritet të ketë vetëm 5 anëtarë të rinj. Por ky proces rrezikohet dhe nga një moment tjetër, që mund ta reduktojë edhe me një tjetër anëtar Gjykatën.
Për shkak të numrit të kufizuar të kandidatëve që janë përzgjedhur, gjithçka duket se do të jetë në dorë të presidentit Iir Meta.
Nëse Kreu i Shtetit për tre vendet vakante të shpallura prej tij, do të përzgjidhte emrat e Arta Vorpsit, Besnik Muçit dhe Elsa Toskës, atëherë automatikisht do të mbetej pa kandidat vakanca e shpallur nga parlamenti për zëvendësuesin e ish anëtarit Vladimir Kristo.
Ky rast mund të tejkalohet nëse do të ketë një koordinim mes dy institucioneve, në mënyrë që të mos pengojnë njëra tjetrën, dhe presidenti do të zgjidhte të paktën një nga dy kandidatët e tjerë të kualifikuar.
Deri më tani 12 kandidatë janë rrëzuar, dhe vetëm 5 janë përzgjedhur. Nga këto Besnik Muçi pret vendimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit në fillim të shtatorit, ndërsa për Regleta Panajotin, pritet të shihet nëse Komisioneri Publik do të bëjë ose jo ankimim për vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili e konfirmoi atë në detyrë.