Denoncimi i Berishës në Parlamentin e qytetarëve

Xhavit Koni nga Kruja është një nga personat që ka vuajtur torturat çnjerëzore gjatë regjimit hoxhist falë një vendimi të Fatmir Xhafës, i cili asaj kohe i shërbente krimeve të regjimit si hetues. Ish-Kryeministri Berisha bëri dje publik mesazhin e Xhavit Konit, i cili aktualisht ndodhet në Suedi dhe jeton atje si emigrant. Emërimi i Fatmir Xhafës nga Rama në krye të Ministrisë së Brendshme ka revoltuar familjen e tij, e cila ka vuajtur persekutimin politik, si dhe torturat e firmosura nga hetuesi Xhafa. Koni tregon se si në moshën 16-vjeçare, ndaj tij janë përdorur torturat më çnjerëzore. Koni tregon se janë të shumta familjet krutane, të cilat kanë vuajtur për shkak të Fatmir Xhafës. “Një qytetar shqiptar me origjinë nga Kruja i emigruar në Suedi ja se ç’më shkruante dje: ‘Përshëndetje doktor Berisha, ju shkruaj nga Suedia, jam Xhavid Koni nga Kruja. Fatmir Xhafën e kam patur hetues. Kam qenë 16 vjeç dhe ka përdorur ndaj meje torturat më çnjerëzore. Të gjithë ju që keni fëmijë, kthehuni pak dhe pyesni veten, sikur t’ua marrin fëmijët hetuesit dhe t’ua torturojnë siç ua ka torturuar Fatmir Xhafa krutanëve. Ka bërë torturat më çnjerëzore ndaj meje, por dhe ndaj shumë të tjerëve dhe unë jam i gatshëm të vij direkt nga Suedia, të përballem me të në çdo televizion dhe t’ja them të gjitha në sy se çfarë torturash dhe mizorish ka kryer”, thuhej në mesazhin e Xhavit Konit.

Exit mobile version