Denoncoi se u kërcënua me jetë nga Ben Qimja, merret në mbrojtje gjyqtari Vladimir Cjapi

Është marrë në mbrojtje gjyqtari i Fierit, Vladimir Cjapi, i cili denoncoi se është kërcënuar me jetë nga Arben Isufajt, i njohur me nofkën Ben Qimja, një personazh kontrovers i botës së krimit.

 

Nën dyshimet se kishte kanosur me jetë gjyqtarin e Fierit, Vladimir Cjapi, gjykata urdhëroi kontroll në banesën e Arben Isufajt. Isufaj, 55-vjeçar nuk ndodhej në shtëpi në momentin kur forcat speciale zbarkuan në Sheq të Madh dhe e rrethuan.

Por, gjatë kontrollit, sipas raportimeve nga gazetarja Klodiana Lala, në banesën e të fortit të Fierit, u sekuestrua një pistoletë që kishte të gdhendura inicialet e tij, një jelek policie, dokumente zyrtare dhe 5 DVR.

Ai u shpall në kërkim nën dyshimet për kanosje të gjyqtarit dhe armëmbajtje pa leje. Hetimi ndaj Arben Isufajt, nisi pas kallëzimit të një noteri, të cili i kishte thënë se do të vriste djalin e gjyqtarit dhe më pas gjyqtarin Cjapi.

Mbi këtë bazë, u urdhërua dhe kontrolli në banesën e tij. Gjyqtari Cjapi ndërkohë është marrë në mbrojtje nga policia e shtetit, bashkë me noterin që bëri denoncimin.

Nga burimet konfirmohet se Vladimir Cjapi ka në shqyrtim një dosje për 3 perspna që dyshohet se kanë vrarë në 1997 xhaxhain e Arben Isufajt.

Ky i fundit, më herët ishte në kërkim policor pasi dyshohej për vrasjen e Demir Backës, por ndaj tij nuk u ngrit akuzë për vrasje. Ndërsa vite më parë ja hodhi drejtësisë, ndonëse kërkohej për krime të rënda nga drejtësia italiane.

Exit mobile version