“Mesi është më i miri i historisë”- Lamin Jamal: Të tradhëtoj Barcelonën? E pamundur, sidomos për Realin e Madridit

Në një javë në të cilën futbolli ka kaluar në plan të dytë dhe në Spanjë debati kryesor po zhvillohet rreth arbitrave, një nga lojtarët më të mirë në La Liga, Lamin Jamal, ka dhënë një intervistë për gazetën “Mundo Deportivo”, ku ai ka folur mes të tjerave edhe për polemikat rreth arbitrave.

Reali, vetë Barcelona, Atletiko e Madridit dhe të tjera klube në La Liga, kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për gjyqtarët, të cilët si reagim kanë kërcënuar me bojkot, nëse akuzat ndaj tyre nuk ndalen.

“Puna e një arbitri është shumë e vështirë, në fund nëse fishkëlleni njërën palë, tjetra do të ankohet. Dhe nëse askush nuk ankohet, një ekip tjetër që nuk luan do të ankohet. Është një punë shumë e vështirë, sepse dikush gjithmonë do të ankohet, ata përpiqen të bëjnë më të mirën që munden”, deklaroi Jamal.

Intervista e tij ka ardhur vetëm pak orë pasi Barcelona mundi jo pa debate e polemika Rajo Vajekanon, e cila pa t’i anulohej të mënyrë të habitshme atë që do të kishte qenë goli i barazimit. Lamin u tregua i prerë me vendimet e gjyqtarit në fushë dhe sistemit VAR.

“Penalltia ndaj Injigos ishte shumë e qartë. Por debati ka nisur se ajo që po ndodh në kohët e fundit është se pothuajse gjithçka po vihet në dyshim”, tha ai.

Ndërkaq, ylli i Barçës ka qenë i qartë në mesazhin e tij drejtuar klubit ku luan vetë por dhe gjigantëve të tjerë spanjollë për ankesat ndaj gjyqtarëve.

“Mendoj se klube si Barcelona, Realit i Madridit dhe Atletiko nuk mund të protestojnë për arbitrat. Nuk është në staturën dhe në madhështinë e këtyre klubeve të merren me gjyqtarët”, shtoi ai.

Në intervistën e tij, Jamal ka folur dhe për rinovimin e mundshëm që pritet në korrik, pasi të ketë mbushur 18 vjeç. Po ashtu ai u pyet nëse do të mendonte transferimin te Reali nëse do të kishte një ofertë.

“Po sikur Real Madrid të më bëjë një ofertë? E pamundur, nuk do të shkoja asnjëherë atje. Ndihem rehat këtu, që është gjëja më e rëndësishme. Të flasësh për yje apo jo yje, në fund të fundit është të luash, të tregosh se çfarë je. Nuk është e nevojshme të ndihesh si yll, superior apo inferior. Nuk është e nevojshme. E rëndësishme është të ndihesh rehat, të luash për skuadrën dhe të të ndihmojnë shokët e skuadrës. Kaq mjafton.

Përsa i përket rinovimit, jam i qetë dhe ju duhet të prisni korrikun për ta mësuar. Nuk dua të mendoj për këtë takim. Në fokus janë objektivat sportivë. Kemi Ligën, Ligën e Kampioneve dhe Kupën e Mbretit. Jemi plotësisht në garë për të tri trofetë dhe do të bëjmë gjithçka për t’i shkuar deri në fund”.

Për shkak të moshës, klasit të kristaltë dhe këmbës së majtë natyrale, krahasimet me Leo Mesin janë të pashmangshme…

“Për fat të mirë nuk jam i pari që i ndodh. Kjo do të thotë se është diçka që njerëzit e kanë brenda sa herë që shohin një lojtar mëngjarash si anësor ose ndonjëherë vetëm kur dikush është mëngjarash. Unë përpiqem të jem vetvetja. Natyrisht, Mesi dhe gjithmonë them këtë, është lojtari më i mirë në histori, jap gjithçka për këtë fanellë”

Në intervistën e tij me rastin e 100 ndeshjeve si profesionist mes Barçës dhe kombëtares spanjolle, Jamal ka folur dhe për shumë tema të tjera. Ai është ngacmuar për sulmuesit që e intrigojnë më shumë, ku ai nuk ka lënë pa përmendur idhullin e tij Nejmar.

“Musiala, Nejmar dhe Savinjo janë tre sulmues që më frymëzojnë më shumë dhe do të doja të luaja me ta”, deklaroi spanjolli 17-vjeçar.

Exit mobile version