Në një deklaratë për shtyp nga selia e PD, anëtarja e kryesisë dhe deputetja Andia Ulliri, u shpreh se emigrimi i të rinjve po kthehet në një nga shqetësimet më serioze të shoqërisë shqiptare.
“BERZH referon se sipas sondazhit të fundit të Gallup, Shqipëria ishte ndër 10 vendet e para në botë ku të paktën gjysma e popullsisë do të donte të ikte jashtë vendit gjatë 2018-2021.” – u shpreh ajo.
“PD dhe Lulzim Basha janë të përkushtuar për t’i dhënë zgjidhje çështjeve të rinisë.
Pikësëpari që të kenë arsimin e duhur dhe më pas të kenë punën e duhur dhe të ardhurat e duhura që të mos largohen nga Shqipëria.” – përfundoi deputetja dhe anëtarja e kryesisë së PD, Andia Ulliri.
DEKLARATA E DEPUTETES DHE ANËTARES SË KRYESISË, ANDIA ULLIRI
Të nderuar qytetarë,
Në Shqipëri, emigrimi i të rinjve po kthehet në nga një shqetësimet më serioze, për shoqërinë. Sipas të dhënave të një ankete të INSTAT rreth 50% e të larguarve gjatë viteve të fundit janë të rinjtë e moshës 15 -29 vjeç. Studiuesit e lidhin këtë largim për shkak të situatës ekonomike dhe mungesës së perspektivës për të ardhmen në vend.
Sipas raporteve nga Eurostat, shkalla e papunësisë tek të rinjtë shqiptarë është shqetësuese, duke qenë tri herë më e lartë se mesatarja europiane.
E duke shtuar këtu, ndryshimet në ligjin e tatimeve, duke bërë që 169 profesione të lira të bëhen pjesë e tatimeve, do ta bëjnë situatën më të vështirë për të rinjtë që kërkojnë të bëhen profesionistë të lirë
Në fakt, përmirësimi i aftësive për punë së bashku me përmirësimin e klimës së biznesit dhe investimeve, si dhe funksionimin e një mbrojtjeje efektive sociale, janë tre shtyllat kryesore për fuqizimin e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare.
Është e rëndësishme të theksohet se roli i të rinjve është absolutisht thelbësor në këtë proces. Të rinjtë janë burimi kryesor i inovacionit dhe zhvillimit të një ekonomie të qëndrueshme dhe të zhvilluar.
Por cila nga këto janë çështje diskutimi dhe prioritet i qeverisë dhe specifikisht i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit?
A ka sot një analize të tregut të punës, si do i sigurohet një studenti që përfundon studimet e larta apo profesionale se do ketë një vend pune?
Si i sigurohet një të riu mundësia për të ndërtuar të ardhmen e tij në Shqipëri, kur është e pamundur për të blerë një shtëpi, për të përballuar shpenzimet mujore? Cfare mundësish ju ofrohet të rinjve teksa Shqiperisë i duhen 70 vite për të arritur standardin e jetesës së Bashkimit Europian?
Këto tema të thjeshta në dukje, janë thelbësore dhe shqetësuese për të rinjtë dhe duhet të jenë në qendër të vëmendjes së qeverisë. Nuk mjaftojnë takimet me sallat plot drita e ndriçim dhe fjalimet e përsëritura prej vitesh për të ndryshuar realitetin e të rinjëve shqiptarë.
Duhen ndërmarrë nisma konkrete për të mbështetur të rinjtë, studentët e profesionistët e rinjë duke ju ofruar lehtësira jo duke i taksuar, duke i trajnuar jo duke i gjobitur, duke ju ofruar praktika jo duke i detyruar të largohen.
Të rinjtë nuk mund të jenë vetëm thjesht si një temë për ditën e sotme dhe për diskutime politike, duke u përfshirë vetëm në strategjitë e ripërsëritura, siç është përgjigja e zakonshme në dokumente si “Rinia 2030”, ku ndryshon vetëm viti i prezantimit, pa sjellur ndonjë veprim konkrejt për të adresuar sfidat e tyre të përditshme. Të rinjtë duhen promovuar dhe integruar në shoqërinë shqiptare në mënyrë aktive dhe efiçente.
Ata kanë treguar se shkëlqejnë kudo në botë, e detyra jonë sot është të krijojmë mundësi që potencialin e tyre ta zhvillojnë në vendin e tyre!
BERZH referon se sipas sondazhit të fundit të Gallup, Shqipëria ishte ndër 10 vendet e para në botë ku të paktën gjysma e popullsisë do të donte të ikte jashtë vendit gjatë 2018-2021. E vuri në dukje se emigracioni i lartë ka si shtysë kryesore qeverisjen e keqe.
Prioriteti i strategjive për rininë sot dhe për rininë në vitin 2030 duhet të jetë investimi në të ardhmen e sigurt duke u fokusuar në fuqizimin e tyre nëpërmjet arsimit, trajnimit dhe zhvillimit të aftësive.
Sfida jonë sot është të kthejmë shpresën tek të rinjtë dhe kjo arrihet duke kthyer vëmendjen tek të rinjtë.
Së bashku duhet të ndërtojmë të ardhmen duke u distancuar nga propaganda e qeverisë ku të rinjtë përdoren si makiazh për të mbuluar korrupsionin dhe faktin që qeveria sot ka dështuar në ofrimin e mundësive të reja e premtuese për të rinjtë shqiptar.
PD dhe Lulzim Basha janë të përkushtuar për t’i dhënë zgjidhje çështjeve të rinisë.
Pikësëpari që të kenë arsimin e duhur dhe më pas të kenë punën e duhur dhe të ardhurat e duhura që të mos largohen nga Shqipëria.
Ky është angazhimi ynë.