Dëshmia në prokurori për lidhjet e Tahirit me Habilajt dhe Audin AA003 GB

Prokuroria për Krime të Rënda ka siguruar dëshminë e një personi (të identifikuar), i cili kishte lidhje me grupin e Habilajve. Ky person, emrin e të cilit “Boldnews.al” ka vendosur të mos e publikojë, ka deklaruar para prokurorëve të Krimeve të Rënda se Moisi Habilaj kishte njohje të shumta në Policinë e Vlorës dhe “të gjithë shefat e respektonin”.
Në dosjen e siguruar në mënyrë ekskluzive nga “Boldnews.al”, ky person deklaron se “Moisi Habilaj kishte shumë njohje në Drejtorinë e Policisë së Vlorës. Kur kalonte në rrugë Moisiu, të gjithë punonjësit e policisë i flisnin”. Pra, nga këto deklarime, duket qartë që kreu i organizatës kriminale që akuzohet se ka trafikuar të paktën 3.5 ton kanabis drejt Italisë, ishte një person që policia e qytetit bregdetar e “respektonte”.
Kjo formë “respekti” vinte prej faktit që Moisi Habilaj ishte kushëri i Saimir Tahirit. Ai përdorte makinën Audi AA 003 GB, të regjistruar në pronësi të Ministrit të Brendshëm. Dhe, gjithashtu, Moisi Habilajt dhe vëllezërit e tij ishin bashkëudhëtarë të përhershëm me Tahirin, gjatë shëtitjeve të tij jashtë Shqipërisë.
Të gjitha këto të dhëna i kishin siguruar Moisi Habilajt statusin e “të paprekshmit” në Policinë e Vlorës. Madje, sipas hetimeve të Prokurorisë për Krime të Rënda, Habilajt kanë bashkëpunuar edhe me drejtues shumë të lartë të Policisë së Vlorës për të krijuar kushtet që të trafikonin lehtësisht kanabis nga Shqipëria drejt Italisë.
Si persona nën hetim dhe të shpallur në kërkim, në rolin e bashkëpunëtorit të Habilajve, janë ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, si edhe dy ish-vartësit e tij të drejtëpërdrejtë, Gjergj Kohila dhe Sokol Bode.
“Boldnews.al”

Exit mobile version