Prindërit e foshnjes 4 ditëshe që humbi jetën në maternitetin e Pogradecit fajësojnë stafin mjekësor që fëmija nuk mundi të mbijetonte. Duke folur për mediat, Suela Hyka, konfirmon versionin e mjekëve se foshnja lindi në gjendje të mirë dhe pa asnjë problem. Nënë për herë të parë, me lot në sy ajo rrëfen çastet e tmerrshme që po përjeton me vdekjen e fëmijës së saj në maternitetin e Pogradecit. Suela Hyka pohoi se, fëmija lindi normalisht dhe pa asnjë komplikacion, ndërsa një ditë më pas, ajo vërejti se ai kishte infeksion në lëkurë.
“Një ditë pas lindjes, fëmija nuk mundej të ushqehej. Vumë re se foshnja kishte infeksion në lëkurë. Ilaçet i kemi blerë vetë, sepse nuk kishte në spital. Doktori na garantoi se foshnja do e kalonte këtë gjendje. Pas 2 orësh iu nxi trupi, ndërroi jetë për në spital”, tregon mes dhimbjes nëna. Hyka theksoi se foshnja e saj kishte qëndruar në atë gjendje 2-3 orë, ndërsa infermieret nuk i kishin bërë asgjë.
Ndërkohë, më i ashpër ka qenë reagimi i babait të foshnjës, Agron Hyka, i cili ka akuzuar mjekun dhe infermieret për neglizhencë, ndërsa shtoi se nëse drejtësia nuk vihet në vend, ai do marrë hak. Hyka bëri të ditur se, foshnja i tij ishte në gjendje të mirë shëndetësore, por pasi i dolën puçrra në trup, ai u përkeqësua. “Fëmija ishte në gjendje të mirë, por pas puçrrave në trup u përkeqësua. Doktori nuk e mori parasysh gjendjen. Kemi paguar 200 mijë lekë doktorin dhe infermiereve. Na e vranë fëmijën. Nëse drejtësia nuk vihet në vend do marr hak ndaj doktorit dhe nuk e lë të gjallë”, tha babai.
Sipas familjarëve, foshnja lindi para 4 ditësh dhe mjekët të cilët e kishin ndjekur lindjen iu kishin thënë se fëmija ishte mirë. Mësohet se fëmija ka pasur komplikacione dhe për këtë e kishin nisur drejt Tiranës, por rrugës foshnja kishte ndërruar jetë. Familjarët të tronditur për humbjen kanë dyshime të forta se faji është i mjekëve, pasi ata u kishin deklaruar se fëmija kur lindi pas operacionit ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërkohë në maternitet mbërriti Policia e Pogradecit, e cila mori në pyetje mjekët dhe familjarët.
Foshnja ka ndërruar jetë mbrëmjen e të dielës në Maternitetin e Pogradecit. Foshnja i përkiste çiftit Agron dhe Suela Hyka nga fshati Buzaishte, të cilët bëheshin prindër për herë të parë. Sipas familjarëve foshnja lindi para 4 ditësh dhe mjekët, të cilët e kishin ndjekur lindjen iu kishin thënë se fëmija ishte mirë. Familjarët të tronditur për humbjen kanë dyshime të forta se faji është i mjekëve, pasi ata u kishin deklaruar se fëmija kur lindi pas operacionit ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërkohë në maternitet mbërriti Policia e Pogradecit, e cila mori në pyetje mjekët dhe familjarët. Ndërsa foshnja u nis drejt morgut të spitalit ku do të kryhet edhe ekspertiza mjeko-ligjore, e cila do të zbardhë edhe shkaqet e vdekjes së foshnjës.
Pas denoncimit të babait të foshnjës, policia ka nisur procedimin penal ndaj mjekut pediatër për veprën penale “Mjekimi i pakujdesshëm”. Specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Pogradec, filluan procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit N.E., 52 vjeç, banues në Pogradec (me detyrë mjek pediatër për fëmijët e porsalindur).
Mjeku: Vdekja e foshnjës 4 ditëshe, “infeksion në lëkurë”
Ilir Gusho, shefi i Pavionit në Maternitetin e Pogradecit ku ndërroi jetë foshnja katër ditëshe e çiftit Agron dhe Suela Hyka sqaron arsyet e vdekjes së papritur. Sipas tij, ndonëse lindi normalisht, foshnja pati një infeksion në lëkurë 12 orë pas lindjes, gjë që i shkaktoi edhe nxirje të lëkurës. “Na vjen keq për ngjarjen që ndodhi. Ishte një fëmijë, i cili lindi normalisht, nuk pati asnjë problem as gjatë operacionit. Vetëm pas 12 orësh, foshnja pati infeksion në lëkurë, pati një nxirje të menjëhershme dhe e nisëm në Tiranë. Gjatë rrugës ai humbi jetën. Nuk është vonuar në nisje”, shton Gusho.
Mjeku i cilëson të pabaza edhe akuzat e familjarëve, duke shtuar që foshnja ka marrë trajtimin e nevojshëm. Po sipas tij, pritet të jetë autopsia ajo që do tregojë shkaqet e vërteta të vdekjes. “Ka marrë trajtimin e nevojshëm. Gjendja u rëndua në orën 19:00 të darkës dhe në orën 20:00 u nis për në Tiranë. Prindërit e foshnjës akuzojnë mjekët për mjekim të pakujdesshëm si dhe denoncuan në polici pediatrin Nexhmi Elezi, për të cilin ka nisur tashmë një procedim penal.
Spitalet e vdekjeve
Një tjetër foshnje ka gjetur vdekjen në spitalet shqiptare. Pas dy javësh nga vdekja e një nëne dhe foshnjës së saj të sapolindur në maternitetin e Tiranës, vdekja e radhës ka ndodhur të dielën në maternitetin e Pogradecit. Foshnja vetëm dy ditëshe ka ndërruar jetë në maternitet për shkak të mjekëve. Babai i foshnjës deklaroi për mediat se, vdekja e djalit të tij ka ardhur si pasojë e mjekimit të pakujdesshëm nga ana e mjekut, ndonëse i kishte paguar 200 mijë lekë atij dhe infermiereve.
Vdekjet tragjike të dy foshnjeve dhe të një nëne në dy javë në spitale tregojnë më së miri gjendjen skandaloze të shëndetësisë në Shqipëri. Këto vdekje tregojnë se spitalet funksionojnë vetëm për të organizuar ceremoni për pritjet e Ramës dhe ministrit Beqaj, kur u duhet të justifikojnë tenderat prej nga vidhen miliarda lekë. Kur qytetarët u bien dyerve të urgjencave apo të spitaleve për të shpëtuar jetën, i gjejnë të mbyllura, pa ilaçe, pa mjete, pa oksigjen, pa mjekë.
Faktet tronditëse të vdekjeve në spitale tregojnë papërgjegjshmërinë e qeverisë së “Rilindjes” ku e ka katandisur sot shëndetësinë. Ngjarja e rëndë në maternitetin e Pogradecit sjell edhe një herë në vëmendje kushtet skandaloze të këtij materniteti. Pacientë kanë denoncuar disa herë në media me foto e video kushtet krejt të papërshtashme, por Ministria e Shëndetësisë nuk ka marrë asnjë masë për rikonstruksionin e këtij spitali, ndonëse janë harxhuar miliona e miliona lekë.
Në tre vitet e qeverisjes së majtë, spitalet ndodhen në gjendje skandaloze. Rama i dha 120 milionë euro në një tendër për Check Up-in falas një mikes së tij, e megjithatë ky Check Up është një dështim tjetër i Ramës. Me këto 120 milionë euro mund të rikonstruktoheshin pajisjet e qendrave shëndetësore dhe stafi i qendrave shëndetësore, por Rama synon të pasurojë njerëzit e tij të afërt dhe nëpërmjet tyre edhe veten.
Rama vazhdon të mashtrojë opinionin për gjoja shëndetësi falas në një kohë, që ai i ka kthyer spitalet në vende vdekjeje. Pacientët i blejnë vetë ilaçet dhe mjetet e tjera të domosdoshme, dhe paguajnë nën dorë për të marrë shërbimin e detyrueshëm në spitale. Por kjo nuk mjafton, sepse mjaft pacientë e kanë paguar vdekjen me lekë në spitale.
Korrupsioni është kthyer në sistem nga qeveria e “Rilindjes” dhe në spitale nuk të afrohet askush po nuk pagove. Spitalet janë çorganizuar dhe askush nuk mban përgjegjësi për vdekjet, apo për mjekimet e gabuara. Ambulancat në të shumtën e rasteve janë të mbyllyra dhe pa asnjë mjet, ilaçe e oksigjen. Në një gjendje të tillë ishte edhe ambulanca e maternitetit “Koço Glozheni” në Tiranë ku ndërroi jetë një nënë e re si dhe foshnja e saj më 16 shtator, kur familjarët dërguan në urgjencë nënën shtatzënë, e cila kishte komplikacione.
Ambulanca ishte me kyç, por edhe kur u hap pas një ore, mjekët e sorollatën nënën e sëmurë sa në një spital në tjetrin dhe si përfundim ajo ndërroi jetë bashkë me foshnjën në maternitet për shkak se mjekët ngatërruan diagnozën. Gruas shtatzënë nuk ju kryen as analiza dhe as ekografi në maternitet.
Familjarët deklaruan se, mjekët i kanë sorollatur gjithë natën sa në urgjencën e QSUT e sa në Sanatorium, derisa gruaja shtatzënë nuk ka mundur më të rezistojë. Fillimisht ka vdekur foshnja, ndërsa një orë më pas, mjekët kanë njoftuar familjarët se ka ndërruar jetë edhe nëna e foshnjës.
Rexhep POLISI