Dëshpërim te Milani

Në shtëpinë e Milanit ndjejnë keqardhje për humbjen në finalen e Kupës së Italisë ndaj Juventusit në dy aspekte. E para, Milani humbi mundësinë për të luajtur në Europa League sezonin e ardhshëm dhe e dyta, që i ka rrënjët në të shkuarën, karakterizon të sotmen dhe mund të kushtëzojë të ardhmen, ka të bëjë me diferencat në cilësi me bardhezinjtë, një fakt tashmë i njohur. Një varfëri teknike, që e bëri të pavlefshëm dominimin e kuqezinjve në pjesën e parë, por edhe lojën e mirë në aspektin mbrojtës gjatë gjithë takimit.
Për të fituar nuk mjafton vetëm ideja elojës, as projekti taktik i mirëpërcaktuar. Janë thelbësorë lojtarët, që bëjnë diferencën. Brocchi e kishte përgatitur në perfeksion finalen, duke ia bërë të vështirë jetën Alegrit në çdo zonë të fushës. Ishte një përballje e ekulibruar, por si gjithmonë, diferencën e bën cilësia e futbollistëve. Morata dhe Cuadrato erdhën nga stoli dhe zgjidhën ndeshjen.
Berlusconi prej kohësh kërkon një Milan të ri dhe italian. Sigurisht që ekziston një bazë e vlefshme që nis me potierin Dinarumma, i cili jep siguri mes shtyllave të paktën për një dekadë. Romagnoli gjithashtu zotëron cilësi të mira, edhe pse duhet të përmirësohet në markim, Calabria dhe De Sciglio treguan ndaj Juventusit se mund ta interpretojnë më së miri rolin e anësorit, Abate dhe Antonelli mbeten alternativa të rëndësishme, Kucka dhe Poli kanë frymë dhe karakter, Mauri mund të rritet më shumë, Locatelli ka shumë talent dhe mund të rritet si futbollist dhe pa dyshim Bonaventura, që ka rezultuar shpeshherë më i miri në radhët e Milanit. Te kjo 11-she 5 janë titullar, ndërsa 6 të tjerët duhen blerë. Tre duhet të jenë kampionë, nëse ekziston vërtet ambicia për të ribërë Milanin e madh.
Ndërkohë, e ardhmja e Christian Brocchi është në pikëpyetje. Për të tretin vit radhazi skuadra e Milanit do të qëndrojë jashtë kompeticioneve europiane. Pas humbjes në finalen e “Kupës së Italisë” kundër Juventusit, kuqezinjve nuk i mbetet gjë tjetër veçse të mendojnë për të ardhmen. Dilemat se si do të jetë Milani i së nesërmes janë të shumta dhe sigurisht që pikëpyetja më e madhe qëndron tek stoli. Presidenti i kuqezinjve Silvio Berlusconi i pyetur nga gazetarët, nëse trajneri aktual Brocchi do të qëndroj dhe sezonin e ardhshëm në krye të stolit të Milanit, ju përgjigj shkurt, duke thënë se ende nuk është vendosur, duke lënë kështu të hapur dhe mundësinë e largimit.
Pavarësisht situatës jo të mirë, pas përfundimit të takimit ndaj Juventusit, Presidenti Berlusconi komplimentoi skuadrën e tij, duke u shprehur se skuadra zhvilloi një ndeshje të mirë përballë një kundërshtari shumë të fortë siç janë bardhezinjtë. Tani që çdo gjë ka mbaruar, drejtuesit e klubit të Milanit, do të ulen për të nisur gjithçka nga e para, në mënyrë që sezoni i ardhshëm të jetë më i mirë se ky që u la pas.

Exit mobile version