Dështuan ndaj Shqipërisë në fazën e grupeve, Çekia zgjedh trajnerin e ri për Kampionatin Europian

Kombëtarja e futbollit e Çekisë arriti që ta sigurojë biletën për finalet e Europianit, Gjermani 2024 në frymën e fundit. Padyshim këtë gjë ua bëri të vështirë edhe Kombëtarja shqiptare që u mori katër pikë në grup, ku fitorja në shifrat 3-0 në Tiranë i tronditi thellë çekët. Në dallim nga ndeshjet në grup, në Europian Republika Çeke do të prezantohet me “timonier” të ri.

Ivan Hashek është trajneri më i ri i Çekisë. 60-vjeçari çek do të pasojë Shilhavin, i cili u largua pas kualifikueseve të Europianit. Hashek do të jetë në krye të pankinës së kësaj skuadre deri në nëntor 2025 me një opsion për të zgjatur kontratën e tij në Kupën e Botës 2026 nëse skuadra kualifikohet.

Kjo nuk është hera e parë që “timonieri” në fjalë ulet në stolin e kombëtares çeke, pasi e ka bërë edhe më parë, në 5 ndeshje në vitet 2009-2010. Hashek ka drejtuar skuadra të ndryshme si Al-Hilal, Sent Etien, apo Visel Kobe. Eksperienca e fundit e tij është në stolin e Libanit.

Çekia kërkon rezultate pozitive edhe në Europian, ku është në një grup me Portugalinë dhe Turqinë, ndërsa mbetet për t’u mësuar një skuadër nga “Play Off”.

Exit mobile version