Detaje të reja nga vrasja në market/ Burri u përlesh me maskat për të mbrojtur gruan dhe djalin 6 vjeçar

Dalin detaje të reja për vrasjen 52 vjeçarit, Agim Buci dhe plagosjen e gruas së tij brenda marketit në Kamëz. Bëhet e ditur se, në kohën kur dy personat e armatosur dhe të maskuar janë futur në Market, brenda ndodhej vetëm gruaja Merita Buci dhe djali 6 vjeçar. Sapo autorët janë futur brenda në market Merita (gruaja e cila ka mbetur e plagosur) ka marrë një thikë që ndodhej në tavolinë dhe ka tentuar të vetëmbrohet. Asnjëri nga autorët s’ka mbetur i lënduar.
Në momentin që ka kërkuar ndihmë në market është futur burri i saj Agimi dhe njërin nga autorët e ka kapur nga mbrapa. Në atë moment personi tjetër i cili kishte pistoletën ka qëlluar.
Ndonëse e gjithë rruga ishte në errësirë të plotë, duke iu krijuar mundësi autorëve për t’u larguar ajo që mund të çojë në identifikimin e tyre janë pamjet e kamerave të sigurisë të vetë dyqanit të çiftit Buci. Policia ka sekuestruar pamjet filmike të kamerave të vendosura brenda biznesit dhe po i analizon për të pasur një imazh të autorëve të krimit. Po kështu sot po bëhet sërish këqyrja e vendit të ngjarjes me dritë natyrale për të gjetur gëzhojën e dytë, pasi e para është gjetur pas ngjarjes.
Marketi “Gerti”, shënjestër e grabitësve ku ndodhi edhe përleshja e çiftit Buci me autorët ndodhej në oborrin e shtëpisë së çiftit që kishin 4 fëmijë.
Dy autorët sipas dëshmive të para ishin të veshur me bluza sportive me kapuç, ndërkohë që kishin vendosur edhe kapele për t’u maskuar sa më mirë. Në momentin kur grabitësit e armatosur janë futur brenda në dyqanin e çiftit Buci, aty ndodhej edhe djali i tyre i vetëm 6 vjeç. Fatmirësisht, i mituri u ka shpëtuar plumbave, pasi është fshehur poshtë banakut.

Ngjarja e rëndë ndodhi reth orës 21:07, në rrugën “OSBE”, në Kamzë, në dyqanin ngjitur me banesën e çiftit Buci. Viktima Agim Buci është qëlluar me një plumb në gjoks, ndërsa e shoqja në këmbë. Më pas, autorët kanë marrë paratë që ndodheshin në kasë, që dyshohet të kenë qenë rreth 20 – 30 mijë lekë (të reja) e më pas kanë ikur. Agim dhe Merita Buci, janë prindër të 4 fëmijëve, 3 vajzave dhe një djali të vetëm, i cili, fatkeqësisht, u bë dëshmitar i ngjarjes tragjike.
Banorët e zonës ku ndodhi grabitja me pasojë vdekjen e 52-vjeçarit Agim Buci, tregojnë se i kishin transportuar të plagosurit me një makinë autoshkolle, pasi ambulanca ishte vonuar më shumë se 30 minuta.
Disa dëshmitarë, që banojnë pranë vendit ku ndodhi ngjarja e rëndë në Kamzë, treguan momentet e para pasi kishin dëgjuar të shtënat dhe si u kishin ardhur në ndihmë çiftit që deri në atë moment ishin të plagosur.
Ndërsa disa djem të rinj, që ndodheshin në rrugë në atë moment, kanë parë grabitësit kur po dilnin nga dyqani dhe u janë vënë pas për t’i ndaluar. Por ata kanë qëlluar me armë në ajër.
Më pas, u kanë drejtuar armët dhe i kanë kërcënuar: “Ikni se ju vramë edhe ju…”.
“Unë ndodhesha në shtëpi në momentin kur ndodhi ngjarja. Dëgjova dy krisma dhe dola menjëherë nga shtëpia. Kur shkoj te dyqani i Agimit, e pashë që ishte i gjakosur ai dhe e shoqja. Kërkova ndihmë nga banorët e tjerë që kishin dalë në rrugë. Me aq sa pashë, Agimi kishte mbaruar, e kishte plagën në gjoks. Ndërsa e shoqja bërtiste. Ambulanca po vonohej dhe i kërkuam një personi këtu që ka një autoshkollë dhe i transportuam me makinën e tij. Pas rreth 30 minutash erdhi ambulanca, ndërsa Policia erdhi shumë shpejt”, tregon një fqinj i familjes Buci.

Ndërsa disa të tjerë kanë arritur të shohin edhe autorët, por pa mundur t’i identifikojnë, pasi kishin kapuça në kokë.
“Ishim në rrugë kur ndodhi. I pamë dy grabitësit që dolën nga dyqani dhe po vraponim. Bashkë me një shok iu vumë pas dhe u bërtisnim që të ndalonin. Ata nisën të qëllojnë në ajër. Më pas, njëri u kthye nga ne, na drejtoi armën dhe na tha të iknim se do na vriste edhe ne. U frikësuam, nuk vazhduam dot më tej dhe ndaluam. Më pas, ata hipën në një makinë, që, me aq sa pamë ne, ishte një BMË, tregon një i ri, banor i zonës.
Dëshmitarët shprehen se zona ku ndodhi ngjarja është tërësisht e pandriçuar dhe për këtë arsye përdoret nga keqbërësit për të kryer krime.
Ishte ora 21:07 minuta kur persona të armatosur u futën në dyqanin e çiftit Buci në rrugën “OSBE” të Kamzës. Ata kërkuan nga i zoti i dyqanit që t’u jepte paratë, por u përballën me kundërshtinë e Agim Bucit. Grabitësit reaguan duke hapur zjarr mbi të dhe bashkëshorten e tij 44-vjeçare, Merita Buci.
Fatkeqësisht 52-vjeçari Buci nuk mundi të mbijetonte dhe ndërroi jetë. Ndërsa bashkëshortja e tij Merita Buci ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Agim Buci ishte baba i 4 fëmijëve, 3 vajzave dhe 1 djali. Ata që e njihnin e përshkruan si njeri të ndershëm dhe punëtor.

Fqinji: Largova menjëherë djalin 6-vjeçar
Një tragjedi ndodhi mbrëmjen e sotme në Kamëz, ku dy grabitës hynë në marketin e çiftit Buci dhe në përpjekje me të zotët, goditën për vdekje me armë zjarri, bashkëshortin Agim Buci, 52 vjeç.
Ndërkohë që bshkëshortja Merita Buci, 44-vjeçe, ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Policia ndërkohë po vijon punën për kapjen e autorëve të dyshuar të këtij krimi.
Mendohet se autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë janë banorë të zonës, nisur nga veprimet e tyre, janë shprehur dëshmitarët.
Mësohet se çifti kanë edhe një djalë të vogël 6 vjeç, i cili është në praninë e njerëzve të afërt për të shmangur situatën traumatike.
Bëhet me dije se marketi i çiftit Buci ndodhej brenda banesës së tyre. Autorët kanë hyrë të armatosur dhe në përpjekje me Agim Bucin dhe bashkëshorten kanë hapur zjarr duke shkaktuar vdekjen e tij dhe plagosjen e së shoqes.
Mësohet nga dëshmitë se në momentin kur ka dëgjuar të shtënat, një prej fqinjëve ka dalë nga shtëpia dhe ka lajmëruar menjëherë policië si dhe ka larguar menjëherë djalin e vogël 6 vjeç për të mos përjetuar ngjarjen e rëndë.
Mësohet gjithashtu se 13 persona janë shoqëruar në polici për t’u pyetur. Policia lajmëron se ka vënë një çmim prej 500 mijë lekësh për këdo që do të japë informacion për zbulimin e autorëve të dyshuar të krimit.

Exit mobile version