Nga Ermal Mulosmani
Sa herë vjen Dhjetori kam një zgjim emocional të harlisur. Ka mbetur kënaqësia e fëmijës që endet mes përrallave me saje e babagjysh, që na përkund ëndrrat e na con në një botë imagjinare, krejt të ndryshme nga realiteti prozaik që na rrethon :(. Sa më e largët distanca me femijërinë aq më e zbehtë kjo ndjesi e mrekullimit… Ne imagjinatën time, Viti i Ri, paradoksalisht, kishte pamjen e plakut me mjekër e kapuç të bardhë, babaxhan e me trastën e shumëdëshiruar të dhuratave. Paçka se Viti i Ri duhet të ishte një foshnjë e sapolindur e gjithë gaz. Une prisja në shtepinë e ëndrrave, të rrethuar nga dëbora që vazhdonte të binte papushim por që ishte shumë e ngrohtë brenda.. Si në reklamën e Coca- Colas… Prisja e prisja, nga dhjetori në dhjetor :). Sa më e madhe është mungesa aq më e zjarrtë është imagjinata. Nuk dekurajohej nga zhgënjimet :).
Diçka nga ky mrekullim mbetet edhe sot e kesaj dite. Ndoshta është pjesa e fëmijës që rron bashkë me ne deri në fund…
Edhe Dhjetori ’90 më erdhi i tillë, gati si në femijëri. Po mendoja pushimet e Vitit të Ri, ato ditë kur do kthehesha të takoja miqtë e mi në qytetin tim të largët kufitar… Mezi i prisja ato ditë pushimesh. Isha në vitin e 3-të të Fakultetit dhe fantazoja zymtë të ardhmen. Shanset për të qendruar në Tirane ishin pothuaj zero. Rezultatet e mia ne Fakultet ishin shumë të mira por kjo nuk garantonte asgjë dhe më bënte konfuz për të ardhmen. Isha si pezull. Në atë periudhë e ardhmja e gjithë botës bashkë vlente shumë më pak se e ardhmja ime.
Në Qytetin Studenti ishte një atmosferë e padurueshme. Si asnjëherë më parë pati një rënie drastike të racionit ushqimor. Mbaj mend që, për herë të parë u fut marmalata e mollës në racionin e mëngjesit. Një marmalatë e tmerrshme që nuk kishte thikë ta priste. Çaj dhe marmelatë molle! Studentët, prisnin në orën 12 kur hapej menca me turma që vërsuleshin për të ngrëne. Më të duruarit rrinin poshte sallës 7/1, në bordurat e sheshit të ardhshëm “Demokracia”. Atëkohë nuk kishte emër, sigurisht. Po ta pagëzoja do t’i thosha “Sheshi i Urisë”. Atje, me barcaleta kundër sistemit e me një sy të vëmendshëm tek dera e mencës mundnim yshtjen për t’u sulur.
Si asnjë vit më parë…
Si të mos mjaftonte kjo gjendje, pasditet e fundnëntorit ishin shumë të ftohta. Rezistencat tona (furnelat elektrike) luftonin pa sukses me të ftohtin që na futej ne palce. Batanijet nuk bënin pune. E në këtë sfond mjeran, studentët lëshoheshin në séanca të pafundme bixhozi. Situata ishte depresive.
Ky ishte Dhjetori im ‘90. Sapo kishte hyrë me një të ftohtë karakteristik. Si të mos mjaftote gjithë kjo gjendje gri, filluan ikjet e dritave… Durimi po soste.
Një mbrëmje ndërsa isha shtrirë në krevat e po lexoja, rreth ores 7 pasdite, dëgjoj kore poshtë dritares sime. Uee çfarë entuziasmi pushtoi dhomen tonë! Kjo gjë nuk kishte ndodhur kurrë! Ishin rreth 50 vetë maksimum në perceptimin tim. Bërtisnin “Duam Drita” e kërkesa të tilla. U ngritëm menjëherë dhe u nisëm drejt sheshit te mencave. Atje, pashë një grup të paorganizuar studentësh, shumë pak, që po përpiqeshin të krijonin një solidaritet sa më të madh. Kryesorin prej tyre e njihja mire. E përshëndeta dhe u largova. Mu dukën të pashpresë në iniciativën e vet.
Ika pesimist…
Te nesërmen të gjithë flisnin për protestën e djeshme. Shumica e të thënave ishin fantazi. Edhe sot nuk jam në gjendje të ndaj ku mbaronte fantazia e ku fillonte realiteti. Por, na kapi nje dalldi kur u tha që protestat do të vazhdonin edhe sot. Çfarë mrekullie!
Në qytezën tonë, madje në të gjithë vendin tonë, nuk ndodhte asgjë! Pothuaj asgjë! Të gjithë duronim duke tejkaluar edhe profecitë apo aforizmat e njohura për durimin.
Nënshtrimi ishte shembullor dhe shtypja e pashembullt. Në 46 vjet nuk mbahej mend një protestë publike, vec thashetheme antiregjim që provokoheshin nga spiunë dhe pillnin viktima…Të burgosurit e fundit politikë shënoheshin 20 vjet të shkuara. Prej 20 vitesh disidenca ishte “tentativë arratisje” , ose ikje nga tmerri!
Madje edhe protesta thuhej të ishte vetëm ekonomike. Përmirësim kushtesh ekonomike. Opozitarizmi ishte në formë barcaletash. Keto kishin marrë dhenë në fakt, nuk kishte ambient që nuk thuheshin. Ndryshe nga 3-4 vjet më parë.
Dolëm në shesh gjithë qejf. Ndjehej në ajër që diçka pritej të ndodhte. Grupe studentësh endeshin në pritje… Ka të ngjarë që këto grumbullime të paorganizuara të kenë nxitur pjesëmarrësit e djeshëm per te vazhduar. Të vetëm ata ishin shumë të rrezikuar. Zemra na rrihte nga euforia, egzagjerimet dhe fantazitë filluan të merrnin dhenë. Më e pakta që ndjenim ishte që po bëheshim dëshmitarë dhe protagonistë të një historie të re. Bashkë me ne, sigurisht, nuk mund të mungonin nëpër hapësirat mes mencave edhe të dërguarit e Sigurimit… Por, pa forcën terrorizuese të viteve të shkuara. Ishim koshient se askush nuk mund të burgoste me dhjetra studentë dhe kjo na jepte forcë…
Nuk mbaj mend se kush e dha shkendijën e grumbullimit. As se si ndodhi. Veç mbaj mend se në shumë pak kohë, u improvizua nje tribunë e vogël ku filloheshin të mbaheshin fjalime. Kërkohej kryesisht që të bashkoheshim për të mundësuar përmirësimin e kushteve ekonomike skëterrë… të gjithë ishin dakort me këtë. Madje edhe ata që sodisnin nga larg, nën pemët e godinave të largëta. Tregohej një kujdes i skajshëm për të mos përfshirë politikën në mes. Madje, folësit e karaokes së improvizuar vazhdimisht bënin lëvdata për udhëheqësin në fuqi. Dhe shoqëroheshin me duartrokitje frenetike dhe pak fërshëllima. Shkollë nuk pati ata ditë. Turma sa vinte e rritej. Edhe folësit e karaokes shtoheshin. Edhe budallallëqet që thuheshin. Askush nuk merrej me atë që thuhej, të gjithë kujdeseshin që tribuna të mos mbetej bosh. Protagonistët nuk më pelqenin, nuk ishin në shijen time. Megjithatë i duartrokisja me gjithë shpirt. Nuk kishin rëndësi ata, i rëndësishëm ishte entuziasmi, vazhdueshmëria. Pasditja ishte e mrekullueshme, entuziasmi ishte në maksimum….
Te tjerat jane thënë… Pas atyre ngjarjeve të një intensiteti të paparë ndonjehëre, po vinte fundi i dhjetorit… Studentët filluan të largoheshin. Arrivistët rrinin tek selia e re e Partisë së re… Ishte funddhjetori dhe unë nuk e kisha më entuziasmin e fillimit për t’u kthyer në shtepi… Qyteza e studentëve po boshatisej, po braktisej… Me dt 05 Janar kisha provim… Amerika po bëhej gati të sulmonte Irakun. Une kisha frikë se kjo ngjarje do të spostonte vëmendjen nga Shqiperia. Ne ishim kryelajmi i VOA dhe BBC deri ato ditë…
Ka qene i vetmi Vit i Ri qe nuk më ka pelqyer . Viti i Ri, për mua, atë vit, ishin ato ditë të papërsëritshme fillim Dhjetori…