Dhoma Amerikane e Tregtisë: Bie besimi i biznesit në Shqipëri, niveli më i ulët që nga viti 2012

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri publikoi më 8 shtator 2021 edicionin e 9-të të Indeksit të Biznesit, i njohur për perceptimin e klimës së Biznesit  për periudhën 2020-2021.

71 % e anëtarësisë së AmCham morën pjesë në anketim, pjesëmarrja më e lartë në 9 vitet e publikimit të Indeksit duke reflektuar rëndësinë që anetarët i japin klimës së biznesit dhe realizimit të reformave në mbështetje të përmirësimit të saj.

Sipas raportit, “besimi i biznesit në Shqipëri ra me 0.5% në 2020 duke arritur në 37.6, nga viti i mëparshëm që ishte 38.1. Ndikimi i pandemisë Covid-19 dhe progresi më i ulët se sa pritej me treguesit kryesorë janë kontribuesit kryesorë.

Rënia e besimit të përgjithshëm të biznesit ishte relativisht e vogël – 0.5% nga 100% – por e rëndësishme pasi shënoi nivelin më të ulët të besimit nga bizneset, që nga zanafilla e Indeksit në 2012.

Për më tepër, gjendja e përgjithshme e biznesit nuk qe në gjendje të shërohej nga rënia më e rëndësishme prej 5% një vit më parë.

Kontributi në një rënie të mëtejshme duket se lidhet me ndikimin e pandemisë Covid-19 në ekonominë e përgjithshme dhe shkallën më të ulët se sa pritej për përmirësim në treguesit e lidhur me reformën ekonomike dhe investimet. Nevoja për një ndryshim më të fortë të politikave mbi investimet, reformat, janë reflektuar gjerësisht në sondazh”, thuhet në raport.

Indeksi mat elementë të rëndësishme që ndikojnë klimën e biznesit, si politikat qeveritare, nivelin e taksave, korrupsionin, informalitetin, zbatimin e ligjit dhe elementë që lidhen me ecurinë e bizneseve dhe ekonomisë shqiptare.

Anketimi i kompanive anëtare i mundëson AmCham-it të identifikojë dhe të masë sfidat me të cilat përballet komuniteti i biznesit dhe të punojë me administraten publike dhe aktorët e tjerë për të përmirësuar klimën e biznesit në Shqipëri.

Rezultati i Indeksit shoqërohet me shtojcën e komenteve dhe sugjerimeve të bëra nga përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në anketim, publikuar në aneksin përmbyllës të raportit.

1 4

Exit mobile version