Enigma e tejdukshme shqiptare

Nga Albert AVDULI

Mbizotëron një dëshpërim në vrundujt e ajrit, që përshkojnë hapësirën tonë gjeografike, politike, demografike dhe kalendarike.

Për të dalë nga kjo gjëndje nuk mjafton “filli i Arianës” sepse nuk besoj se gjëndet as Tezeu i dashuruar.

Më së pari duhet të zbulojmë objektivisht çfarë po ndodh në këtë vend dhe me këtë shoqëri.

Kur shkruaj “objektivisht”, nënkuptoj që t’ju referohemi fakteve me korrektësi dhe pa vënë lupa zmadhuese partiake.

Për ta bërë më të kuptueshme le t’i shmangemi teorive shtetëformuese, dogmave të stampuara politike, doktrinave ekonomike dhe arsyetimeve akademike.

Ka vetëm një filozofi bindëse dhe jetësore: Mbijetesa !

E këtë përshkrim, sigurisht që mundet ta bëjë vetëm një njeri, i cili e ka jetën si shumica e shqiptarëve dhe i sheh ato nga rrafshi i prekshëm ditor.

Në të vërtetë, faktet, detajet e përditëshme, dukuritë, çmimet, grindjet, trafikun, grataçelat, padrejtësitë, arritjet nëse ka, i shohim të gjithë, por varet nga cila lartësi…

Le të ndalim me radhë në disa prej problematikave më kryesore.

1-Jemi dëshmitarë të gjithë, se prej disa vitesh, ndihma ekonomike, pensionet, pagat në sistemin shtetëror apo privat janë frenuar në një shifër të caktuar.

Bëhet fjalë për gati një dekadë në të njëjtin nivel dhe kjo është çereku i viteve të punës në ciklin jetësor.

E në këto vite, logjika të çon se taksat, tarifat, çmimet janë rritur. (Ndaluni veç te uji në banesë dhe çmimi për m/3, trefish është rritur në 7 vite dhe nuk pihet, pra shto dhe koston e blerjes për të pirë)

Kjo sjell inflacion galopant dhe zhvleftësim të pagës. Pra, pagat pothuajse janë përgjysmuar dhe kjo nuk është e fshehtë, por është e heshtur nga të gjithë.

Shkurt, varfëri e pranuar nga frika se mos flaken në rrugë.

2- Pandemia ka ndikuar në mbylljen e bizneseve, vendeve të punës por edhe ka shtuar kostot e jetesës për çdo familje, po ashtu shpenzimet për kujdesin shëndetësor, analiza, tampon, maska, alkool, vitamina, proteina.

Familjet me prindër të moshuar në të njëjtën çati janë rraskapitur.

Para më shumë nga një vit, qeveria mori një vendim qesharak, për të akorduar për çdo të prekur lehtë me Corona një shumë prej 1600 lekësh dhe ata që e kalonin në regjim të rëndë të kompensoheshin me 100 dollar. Ende nuk di nëse dikush e ka përfituar këtë vlerë, por edhe nqs po, asgjë nuk zbut, kur të gjithë kemi përvoja se 100 euro kushtojnë analizat e kryera vetëm një herë dhe ky ishte ritual i përsëritur shpesh.

3- Largimi masiv i familjeve shqiptare, por më së shumti arratia e brezit të ri, largimi i mjekëve, infermierëve, të porsadiplomuarve në fusha të tjera. Zhveshja e shoqërisë nga mosha vitale dmth plakje e saj dhe rrudhje e skajshme e produktivitetit. Kjo dukuri e pandalshme çon në kolaps sistemin shëndetësor dhe të sigurimeve shoqërore. Ngërçi në sigurime shoqërore e dërgon ekonominë në humnerë.

Shembuj kanë ndodhur në disa vende me ekonomi të fortë, jo më në një ekonomi anemike si jona

4- Uzurpimi i çdo hapësire publike nga disa subjekte me mbështetje të dyshimta ose ortakëri politike kanë sjellë ndërtimin e kullave qiellore, që i kanë zënë frymën qytetit dhe banesave disa katëshe të mëparshme. Çmimet për çdo m/2 në këto ndërtime janë deri 10 fish mbi kosto dhe mbi logjikën komerciale.

5- Nga vijnë këto vlera monetare ?

Ne të gjithë e dëgjojmë zhargonin “shtëpi bari” në Angli, Spanjë apo vende të tjera. Nuk është zhargon në fakt, është eufemizëm për mos të përmendur të keqen që e njohim.

Djemtë e këtij vendi, në dëshpërim e sipër apo të tunduar nga etja për pasuri dhe dëshira për të dalë nga skamja, marin përsipër rrisqe të tilla duke u bërë pjesë e trafikut ndërkombëtar të drogës. Ndodh që këta bijë bien në pranga ose në përplasje grupesh rivale, atëherë kalvari kullon gjak. Me më shumë fat, ato para vijnë në këtë treg nga rrugë të zeza, jashtë bankave. Si të tilla, ato do të futen në labirinthe të dyshimta dhe lavazhi më i mirë është betoni.

Shtypi flet përditë për plantacionet e bimëve narkotike në kodra dhe malet tona. E njëjta rrugë menaxhimi dhe krimi fiskal.

6- Dashuri e madhe, por e dyshimtë ndaj produkteve e frutave ekzotike, e cila shpesh po rezulton si mbulesë e futjes së kokainës dhe heroinës në Shqipëri. Këtu molepsen të gjithë, nga polici në rrugë, avokati, noteri, doganieri, tatimori, konsumatori, rrugëtari, adoleshenti naiv, artisti e pedagogu

Kaq shumë para qarkullon në tregun real sa transfertat në cash duken si filiale të bankave, por pa nipt. Janë këto para që e kanë çuar çmimin e banesave në ëndërr të papërmbushur.

7- Po shteti, ai që stigmatizojmë si rregullator dhe mbikëqyrës të normave a është verbuar, shurdhuar apo i ka ikur gjuha ?

Përgjigjen e kësaj pyetje e dimë të gjithë: Shteti trashet nga këto veprimtari deri sa të plasi dhe copat e plëndësit të ndyrë t’na hidhen surratit të gjithëve.

8-Në këto rrethana, përfytyroni veten, vëllain, motrën, birin, bijën tuaj, mësues, kuzhinier, inxhinier, hidraulik apo me një biznes familjar…

Me paga nga 50 mijë lekë në muaj, një çift merr 100 mijë lekë në muaj, pra 1.2 milion në vit. Teorikisht po llogarisim se kursejnë 30 mijë lekë në muaj dhe jetojnë me frymën e shenjtë, mbeten 360 mijë lekë në vit. Për të blerë një shtëpi 75 m/2 me 1000 euro m/2 duhen 75000 euro ose 9 milion lekë, thënë ndryshe duhen 30 vite punë, pa gëzime, pa ditëlindje, pa pushime, pa hyrje e dalje familjare.

9- Tenderimet e fondeve publike…

S’kam në mend të bëjë analizën e kësaj. Raportet e kontrollit të lartë të shtetit për çdo vit akuzojnë për miliarda lekë të vjedhura apo të shpërdoruara.

10- Drejtësia e stigmatizuar si “e re” ka krijuar ngërçin e shekullit. Mijëra dosje të pashqyrtuara e të tjera. Kjo do të thotë “drejtësi e vonuar, drejtësi e munguar”

11-Ja kështu e shikon një qytetar i mesëm realitetin e jetës së tij, pa përfshirë trafikun, gjobat, smogun e qytetit dhe të papriturat që secili mund t’i ketë rrisk.

Exit mobile version