Gazetarët paralajmërojnë një protestë para ndërtesës së Prokurorisë, të dielën në orën 16:00 deri në orën 17:00. Duke marrë shkasë nga rastet e shumta të intimidimit të reporterëve, komuniteti i gazetarëve në vend ka vendosur të protestojë të dielën që vjen.
Rasti më i fundit është ai i regjistruar mesditën e kësaj të premteje ku rojet e sigurisë së Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku, ushtruan dhunë fizike ndaj gazetarit Renaldo Salianji, gjatë kohës që po kryente detyrën e tij.
Pak ditë më parë, Kryetari i Bashkisë së Pukës kërcënoi me “varje” gazetarin e emisionit “Fiks Fare”, teksa ky i fundit kryente detyrën.
Ndërkohë, forcat e policisë penguan gazetaren Dorjana Bezat teksa raportonte live për shembjen e banesave tek “Bregu i Lumit”, ndërsa një tjetër rast është dhuna policore mbi gazetarin Erion Skëndaj gjatë raportimin të protestës së opozitës.
“Komuniteti i gazetarëve dënon këto akte të rënda dhe të papranueshme të ndodhura vetëm së fundmi me punonjësit e medias. Këto veprime cenojnë jo vetëm integritetin fizik të gazetarëve, por edhe lirinë e medias.
Sot, gazetarët në Shqipëri po përballen me sulme fizike nga zyrtarë dhe njerëz të pushtetit, sikundër edhe me arrogancën institucionale, që shkel rëndë misionin e medias”, thuhet në reagimin e komunitetit të gazetarëve.
Në protestën e së dielës, gazetarët kërkojnë shkarkimin e menjëhershëm të Truprojës së Arta Markut dhe që Prokuroria e Përgjithshme të kërkojë falje për aktin e kryer, ndërsa kërkohet zbatimi i ligjit për kryetarin e Bashkisë së Pukës.
“Ne protestojmë për çdo akt që cenon lirinë e medias dhe gazetarit! Lajmësi është i shenjtë!”, thuhet më tej.