Dhunë ndaj partneres, arrestohet Hernandez i Atl. Madrid

Vetëm pak orë pas disfatës në Kupën e Mbretit përballë Barcelonës, te Atletico e Madridit duhet të përballen me një tjetër situatë aspak komode. Mbrojtësi i ri i ekipit, Lucas Hernandez, është arrestuar nga policia e kryeqytetit spanjoll.
Akuza që rëndon mbi futbollistin është ajo e dhunës ndaj partneres, me të cilën ai bashkëjeton. Sipas mediave iberike, 20-vjeçari ishte kthyer i dehur në shtëpi në orën 2 të mëngjesit dhe pas një debati të ashpër e ka goditur vajzën.
Fillimisht partnerja e mbrojtësit francez nuk e denoncoi ngjarjen. Por, gjithçka u zbulua vetëm pas shtrimit në spital, për shkak të plagëve të lehta që Lucas Hernandez i shkaktoi.
Lojtari i lindur në Marsejë dhe që ka qenë pjesë e përhershme e përfaqësuesve të moshave te “gjelat”, debutoi me Atletico Madrid gjatë sezonit të kaluar, duke u aktivizuar si zëvendësues edhe në finalen e Champions përballë Realit gjatë edicionit të kaluar. Në sezonin aktual, mbrojtësi numëron gjashtë ndeshje të luajtura në kampionatin spanjoll.

Exit mobile version