Leicester City, të gjithë nën akuzë

Nga Parajsa në Ferr, Leicester City po kalon momente të errëta pas suksesit historik të disa muajve më parë. Të gjithë janë vendosur në bankën e të akuzuarve, heronjtë e titullit të parë, trajneri Ranieri, por edhe drejtuesit e klubit për lëvizjet e dobëta në merkato. Vendi i 16 në Premier League dhe vetëm dy pikë larg zonës së ftohtë, tifozët e “dhelprave” kanë nisur të dridhen sepse në stadiumin e kampionëve kanë nisur të vërtiten sërish hijet e rikthimit në Championship. Suksesi i fundit është regjistruar më 31 dhjetor kundër West Ham dhe që prej atij momenti kanë ardhur një barazim dhe tri humbje rresht.
Vardy që vetëm disa muaj më parë konsiderohej si xhevahiri i kësaj skuadre ka arritur të shënojë vetëm 5 gola sezonalë, ndërsa mbrojtja ka pësuar plot 38 gola. Reparti më pak i akuzuar është mesfusha që edhe pas largimit të Kante ka arritur të rezistojë. Drinkwater është rikthyer sërish një lojtar normal ndërsa Amartey e Mendy nuk janë magjistarë. Njeriu më i talentuar, Marhez, po tregon limite të theksuara personaliteti. Pjesa më e vështirë nuk ka ardhur ende, Leicester City ka zbritur me këmbë në tokë, por tashmë duhet të mbërthehet fort pas fatit dhe besimit për të kërkuar qëndrimin mes më të mirëve, sepse në të kundërt, vetëm pak muaj më vonë do të regjistronte një tjetër arritje historike, rrëzimin në Championship.

Exit mobile version