Mediat gjermane i kanë kushtuar vëmendje kultivimit të kanabisit në Shqipëri. Gazeta shumë e njohur, “Die Welt” ka publikuar një shkrim për plantacionet me kanabis në Shqipëri. Në shkrim thuhet ndër të tjera se, Shqipëria, një nga vendet më të varfëra në Europë, është mbuluar me drogë. “Ky vend në Veri të Ballkanit kultivon drogën më të madhe në Europë. Varfëria i detyron njerëzit të mbjellin më shumë drogë. Vetëm këtë vit, regjimi ka marrë miliarda lekë”, shkruhet në artikull.
Shkrimi ilustrohet edhe me foto nga plantacionet me drogë si dhe operacionin e policisë për shkatërrimin e kanabisit në Fushë-Krujë, ku në komentin e tij gazetari shprehet se është një betejë e pa shpresë e policisë shqiptare.
“Betejë e pa shpresë e policisë shqiptare. Qeveria shqiptare gënjen kur deklaron se, tanimë plantancionet e drogës janë shkatërruar”, shkruhet në artikullin e gazetës prestigjoze, “Die Welt”.
Në artikullin e “Die Welt” shkruhet më tej se, i gjithë terrotori shqiptar është mbuluar me kanabais, ndërsa bima narkotike është në fazën e pjekjes dhe të trafikimit. “Në këtë fund viti janë shkatërruar 1.7 milionë kanabis, po ta krahasosh me vitin e kaluar është dyfishuar prodhimi”, shkruhet në artikull ku përmenden edhe plantacionet me drogë në Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër, Korçë, Krujë, Shkodër.
Në shkrim përmenden edhe disa raste të sekuestrimit të kanabisit në Itali dhe Greqi, ndërsa komentohet se ky trafik zhvillohet nën hundën e policisë shqiptare.
Pronarët e vërtetë të fermave të hashashit nxjerrin kokën
Vetëm nëse u referohesh shifrave zyrtare të Policisë së Shtetit, për numrin e bimëve të asgjësuara deri ditët e fundit, rezulton se kultivuesit e kanabis sativa, kanë dyfishuar aktivitetin e tyre për 8 muajt e parë të vitit 2016.
Kështu nëse policia ka deklaruar se gjatë vitit 2015 ka asgjësuar 860 mijë bimë narkotike, deri dy ditë më parë për këtë vit kjo shifër ka qenë gati dyfish, 1.570.000 rrënjë. Pavarësisht se policia mburret me rritjen e numrit të rrënjëve të drogës së asgjësuar, këto shifra faktikisht tregojnë se, ajo e ka territorin e vendit krejtësisht jashtë kontrollit. Askush nga radhët e bluve nuk është penalizuar apo të paktën t’u jetë nënshtruar masave administrative, për parandalimin e këtij fenomeni.
Përgjegjësia e mbjelljes në gati 80% të territorit të vendit, madje edhe fare afër zonave të mëdha urbane, kujdestaria e këtyre “fermave” gjigante, vazhdon të mbetet jetime. Por fakti më skandaloz në gjithë këtë situatë është ai, që policia, pasi ka zbuluar dhe më pas ka ndërhyrë për të asgjësuar parcelat, në shumicën e rasteve nuk ka identifikuar pronarët e vërtetë të tyre, se për financuesit as që bëhet fjalë. Sipas statistikave zyrtare të cilave ju referohet “syri.net”, nga 360 personat e proceduar prej policisë për këtë aktivitet të jashtëligjshëm mbi 80% e tyre janë punëtorë, ose roje me pagesë të zonave të mbjella.
Tashmë është e qartë dhe nuk kanë munguar sinjalet edhe publikisht që pronarët e vërtetë të këtij aktiviteti nuk janë ata fshatarët ditëzinj që kap policia, të cilët i ka rrëmbyer trendi “kolumbian” mbarëshqiptar. Koka është në Tiranë dhe po pret me padurim arkëtimin e miliardave, të cilat do të përdoren për të blinduar simbiozën më të përkryer të krimit me politikën që jo vetëm Shqipëria ka parë ndonjëherë. Madje tani ata, as po përpiqen më të fshehin autorësinë dhe planin kobzi që kanë për të ardhmen e vendit.
Rexhep POLISI